E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjini: Nuk lëkundemi nga qëndrimi, Ramushi Kryeministër

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gjini, u është përgjigjur disa deklarimeve të anëtarëve të PDK-së se nuk mund ta japin postin e Kryeministrit, duke u thënë se AAK-ja e ka vetëm këtë kërkesë, që në koalicionin me PDK-në, Kryeministër të jetë Ramush Haradinaj.

Gjini nuk ka dashur të spekulojë lidhur me ndarjet e Ministrive, por ka thënë se nëse kryeministër është Ramush Haradinaj, atëherë ai shpreson se AAK-ja do t’i ketë Ministritë me më ndikim. Mirëpo, ndryshe mendon shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, sipas të cilit, proceset nëpër të cilat po kalon Kosova nuk lejojnë ndryshime aq të thella.

Ardian Gjini duke folur për koalicionin në mes PDK-së dhe AAK-së, u është përgjigjur disa zërave të fundit brenda PDK-së, të cilët e kanë kundërshtuar lidhjen e këtij koalicioni me kushtin Ramushi Kryeministër, duke thënë se AAK-ja e ka vetëm një ofertë – Ramushi Kryeministër.

“Aleanca e ka vetëm një ofertë dhe ajo është oferta që Aleanca të udhëheq me Qeverinë e Kosovës dhe Ramush Haradinaj të jetë udhëheqës i asaj Qeverie si kryeministër. Kjo është ajo që ne e kemi si ofertë dhe jo diçka tjetër”, ka thënë Gjini.

I pyetur nga gazetarët se kërkesa e AAK-së për Kryeministër, a do të thotë se kjo parti nuk do të kërkojë shumë sa i përket ndarjes së Ministrive, Gjini ka thënë se është e qartë se kur një Kryeministër qeverisë me vendim, ai duhet të jetë në gjendje që të qeverisë jo vetëm nga zyra e tij, por edhe nga dikasteret e rëndësishme.

“Nuk e kam në plan të spekuloj për këtë temë, por po ju them se kur një parti politike dhe një kryeministër qeverisë me vendin, me siguri se duhet të jetë në gjendje që të qeverisë me vendin, jo prej zyrës së kryeministrit, por edhe prej dikastereve, të paktën, prej dikastereve të rëndësishme”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket asaj se nëse AAK-ja nuk do të arrijë të hyjë në koalicion më PDK për ta qeverisur vendin a do ta mbajë këtë kurs të qëndrimeve dhe marrje pjesë si opozitë në proceset që kalon vendi, ai ka thënë se edhe nëse nuk e marrin mandatin e qeverisjes, AAK-ja, sipas tij, do ta luajë këtë rol, sa i përket temave që kanë karakter nacional.

Mirëpo, ndryshe mendon shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, sipas të cilit, proceset nëpër të cilat po kalon Kosova nuk lejojnë ndryshime aq të thella.

“Edhe sikur ne te ishin te gatshëm, rrethanat e krijuara në Kosovë nuk e lejojnë një gjë të tillë. Kryeministri i vendit është i suksesshëm dhe nuk kemi nevojë për ndryshime, sepse ne kemi filluar një proces dhe nuk guxojmë të luajmë me vetveten”, ka thënë ai.

Ardian Gjini, duke folur për marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është dashur të bëhet edhe më tepër, por për këtë fazë, ai ato i vlerëson si pozitive.

“Ne i përshëndesim arritjen e marrëveshjes në Bruksel dhe mendojmë se dy marrëveshjet janë lëvizje në drejtim të duhur, do të duhej të bëhet më tepër në të ardhmen, mirëpo, për këtë fazë mendojmë se është pozitive… Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto marrëveshje dhe të gjithë garantorët e marrëveshjes duhet t’jenë garant edhe të implementimit të secilës marrëveshje që arrihet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sa i përket emërimit të zyrtarëve ndërlidhës në mes Kosovës dhe Serbisë, ai këtë temë e sheh si semantike, duke shtuar se nuk mund të ketë zyrtarë pa zyre. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›