E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konjufca: S’duhet të negociohet me Serbinë

Dialogu me Serbinë nuk e izolon Kosovën ndërkombëtarisht, ashtu siç pretendohet të thuhet nga Qeveria e këtij vendi, dhe se qeveritarët duhet të jenë me serioz kur bëhet fjalë për çështje madhore për vendin.

Kështu u tha të hënën në tryezën e organizuar me shoqërinë civile nga Lëvizja Vetëvendosje, me temën “Dialogu me Serbinë nuk na izolon”.

Xhelal Sveçla nga kjo Lëvizje ka thënë se në Kosovë mungon debati për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me vendin.

Sipas tij, VV ka filluar një seri takimesh me akterë të ndryshëm më qëllim që të shoh se si ata i shohin proceset, nëpër të cilat po kalon Kosova. Ai, po ashtu, ka thënë se nga Qeveria e Kosovës, vërehet një tendencë që çështja e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e tij të minimizohen dhe anashkalohen.

“Vërehet një tendencë që edhe çështja e dialogut me Serbinë si dhe rezultatet e këtij dialogu, të minimizohen apo të anashkalohen. Prandaj, VV ka filluar një seri takimesh me akterë të ndryshëm të shoqërisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa Glauk Konjufca, aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje” ka thënë se forumet e tilla me qytetarë dhe shoqërinë civile janë të rëndësishme, pasi që, së pari duhet një dialog i brendshëm në Kosovë. Ai ka pohuar se vendit tonë i ka munguar një debat i brendshëm, debat mes grupeve shoqërore, shoqërisë civile, mes qytetarëve dhe subjekteve politike, ku do të diskutoheshin çështjet me rëndësi për vendin. Sipas tij, po të kishte pasur debat të brendshëm më shumë brenda Kosovës, atëherë nuk do të kishte pasur kaq shumë dialog me Serbinë.

Konjufca ka folur, po ashtu, për gjendjen ekonomik dhe politike në vend, duke e quajtur këtë jo të favorshme për vendin dhe qytetarët e tij. Ai ka pohuar se situata politike në Kosovë karakterizohet me demokraci të brishtë dhe se gjendja ekonomike dhe sociale, po karakterizohet nga papunësia masive dhe nga varfëria enorme.

Konjufca, po ashtu, ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet t’i vendosin vijat e kuqe për pushtetin e të cilat janë të pa negociushme, si demokracia, sundimi i ligjit, zgjedhje të lira dhe pavarësim të sektorit të drejtësisë. Sipas tij, një qeveri e tillë, që aktualisht është në Kosovë më shumë e ka hallin tek interesi i ngushtë personal. Ndërsa duke folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se ata nuk besojnë tek koncepti se pa bisedime me Serbinë Kosova izolohet ndërkombëtarisht. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë veprime, që ia prekin Serbisë interesat brenda Kosovës.

“Sa i përket negociatave me Serbinë, koncepti i VV është se po thonë se pa shku dhe me negocu me Beogradin, pa u ul në tavolinën e negocimeve Kosova izolohet ndërkombëtarisht. Ne nuk i besojmë kësaj teorie sepse mendojmë që ai që po quhet normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. I ka dy aspekte normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Mund të bëhet ose nëse Serbia ndryshon ose nëse ne e pranojmë një Serbi kështu si është. Dy mundësi janë nuk ka mundësi më shumë. Ose ne duhet të ia pranojmë Serbisë atë që po kërkon brenda Kosovës dhe ne pajtohemi dhe pastaj normalizohen marrëdhëniet. Ose Serbia duhet të ndryshojë ta pranojë pavarësinë e Kosovës t’i shpërbejë strukturat e saj kriminale të paligjshme, që i ka në Kosovë dhe ne serish pajtohemi dhe normalizohen marrëdhëniet, janë vetëm këto dy mundësi”, ka pohuar Konjufca.

Ndërsa Nazim Haliti, nga organizata Joqeveritare FIQ ka thënë se qeveria duhet ta ndërtojë një pozicion karshi Serbisë dhe jo si deri tani të rrijë duarkryq.

“Ne nuk kemi një qeveri të tillë që ndërton pozicion për shkak se ka ministra e zëvendësministra, nja 6 për një resor të cilët nuk bëjnë asgjë tjetër përveç që rrinë në restorante të shtrenjta dhe kërkojnë përqindje në projektet e ndryshme. Si ka mbetur kujt pikë e kuqe dhe Serbia na e ka marrë rendin e para duke ndërtuar pozicion të fortë”, ka thënë ai.

Edhe Blerim Shabani, nga organizatat jo-qeveritare ka thënë se pala kosovare, duhet ta ketë të qartë se çfarë po kërkon kur të hyjë në dialog me Serbinë, duke qenë me serioze kur bëhet fjalë për interesa vitale të vendit e jo për të bërë kompromise të dhimbshme.

“Jo të hyjmë në dialog me Serbinë, për të bërë kompromise për çështjet e brendshme të Kosovës dhe për t’i krijuar enklave dhe për të ia forcuar ato enklava dhe për qeverisje në veri të Mitrovicës dhe qasjet në çështjet e brendshme të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk është këmbëngulëse sa duhet të jetë dhe se vështirë që mund ta bëjë këtë pala kosovare duke pasur parasysh me një Qeverie e cila është e përfshirë në masë të madhe në skandale korruptive dhe skandale të mashtrimeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Në këtë takim Lëvizja “Vetëvendosje”, po ashtu, propozoi Planin e Veprimit për veriun të përmbledhur në 13 pika, e me anë të cilit kërkohen hapa konkret që duhet marrë për një shtet normal.

Sipas planit të VV, FSK duhet të bëhet ushtri, në veri duhet të ketë prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje, Kosova duhet të krijojë marrëdhënie të fuqishme bilaterale me shtete të veçanta që kanë njohur pavarësinë, posaçërisht me SHBA-në, Shqipërinë dhe shtete kryesore të BE-së. Po ashtu, sipas VV, duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet që po planifikohen të mbahen me Serbinë. Duhet të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave ilegale të Serbisë, integrimi social politik dhe ekonomik i veriut, pa të cilin s’mund të ketë paqe si dhe angazhim për shqiptarët kudo që janë, e veçanërisht për ata në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›