Konjufca: Takimi Thaçi-Daçiq, i dëmshëm për Kosovën

Në takimin që zgjati më shumë se pesë orë midis kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, është arritur marrëveshja lidhur me doganat.
E ky takim sipas Vetëvendosjes, është i dëmshëm për interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për Indeksonline se kryeministri ynë po takohet me Daçiqin pa kurrfarë kushtesh për Serbinë.
Sipas Konjufcës, ata po diskutojnë vetëm për Kosovën.
“Beogradi po pyetet për doganat e Republikës së Kosovës. Serbia tash së fundi edhe me platformën e saj antishqiptare, e cila ende nuk është komentuar qartë nga Brukseli. E, në anën tjetër, Serbia po vazhdon t'i financojë e kontrollojë strukturat e saj të paligjshme në veri të cilat po e mbajnë të ndarë veriun e Kosovës” ka thënë Konjufca për Indeksonline.
Konjufca ka thënë se “në këto rrethana, nuk më duket aspak e mençur - përkundrazi është plotësisht e papërgjegjshme - të flitet me Serbinë për problemet tona të brendshme shtetërore, politike dhe ekonomike”./Indeksonline/