E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e re, Topi: Opsion i hapur, nuk kam punuar me grupazhe

Intervistoi: Ilir Babaramo

Z.President, po e nisim intervistën me situatën më të fundit politike, një panoramë ku palët kanë gjetur konsensusin mes tyre...Çfarë ndodhi që u bë ky rregullim i kësaj situate?

Së pari do të thosha se jam në atë pozicion si ju, pasi ato që duhet të pyeten për metamorfozën e tyre janë palët. Gjithsesi, si kryetar shteti ndjek jetën politike, kam komunikim me ta dhe do doja të arrija në atë gjykim që çdo proces e ka një staturë. Presioni i vazhdueshëm i ndërkombëtarëve, siç duket i ka bindur palët që të bashkëpunojnë. Rikthimi është gjithmonë mirë. Uroj që të jetë i plotë që secili të marrë përgjegjësitë e veta. Asgjë nuk është statike, gjithçka është dinamike, që do të thotë sot je në opozitë, nesër mund të jesh në pushtet dhe e kundërta. Përmbushja pastaj e detyrimeve është ana tjetër. Bashkëpunimi duhet të jetë dinjitoz dhe i plotë për të dhënë garanci edhe për partneret.

Një nga temat më të rëndësishme në parlament është ngritja e komisionit për reformën zgjedhore, çfarë sugjeroni?

Unë sugjeroj që të mos bëjnë atë që kanë bërë në mënyrë konstante gjatë gjithë këtyre viteve në demokraci. Zakonisht debatojnë gjatë dhe realizimin e lënë për në momentin e fundit. Është plotësisht e mundur, meqë komisioni është ngritur që të përmbushin detyrimet për reformën e re zgjedhore. Çështja është nëse do të jemi në atë gjendje që të bëjmë një Kod që t’u shërbejë palëve dhe qytetarëve që të ndjehen të qetë, që mos të ketë zgjedhje të kontestuara...

Kur u bënë ndryshimet, Presidenti u përjashtua nga vendimmarrja për KQZ-në. Do kërkoni të kthehet ajo klauzolë?

Jo, unë nuk kërkoj asgjë. Presidenti ka pozicionin e tij kushtetues, të tjerët merren me këtë. Presidenti shprehet në momentin kur ligji vjen në këtë zyrë. Gjërat në demokraci janë të ndara, por jap një apel që ky komision duhet të largohet nga emocionet e forta partiake, të punojë me shumë profesionalizëm për t’iu referuar një ligji për t’u zbatuar...

Ndryshimin e sistemit elektoral, e shikoni si një tabu e cila mund të prekë edhe Kushtetutën?

... Jam duke folur në parim, asgjë nuk është tabu. Ky vend ka pasur modele të ndryshme. Janë futur në lojë sisteme të ndryshme, por nuk realizohen ashtu siç duket...

Gjithçka varet nga mënyra se si zbatohet një Kod Zgjedhor.

Por, a kërkon ndonjë punë të madhe për t’u bërë kjo reformë në komision ad-hoc sesa tek vullneti i partive?

Në Shqipëri nuk ka pasur kode të këqija. Këtu gjërat janë predominuese në shpalosjen e vullneteve. Ne kemi 20 vite me sistem të ri, kontaktet me botën perëndimore janë të vazhdueshme. Nuk vuajmë për modelet, por për vullnetet. Rikthimi i vullnetit i solli palët në tavolinë. Natyrisht ka punë, por jo pafundësisht.

Ligji për mbetjet urbane, kishit ndonjë informacion apo ju duk i padrejtë?

Nuk ndikohem emocionalisht nga vendimet. Presidenti e ka të detyrueshme që të konsultojë kushtetutshmërinë me frymën e saj. Unë e kam bërë me koshiencë kthimin e tij, pasi kërkonte vëmendje. Mori një sensibilitet të gjerë publik. Askush nuk mund të thotë se rrëzimi i dekretit ishte antikushtetues, çështja është se sa ata janë luajalë.

Në çfarë stadi është dekreti për KLSH-në dhe, a ka sinjale se do ta votojnë?

Unë do të prisja ndonjë informacion nga ju. Presidenti e mbyll procesin në momentin që e çon në parlament...

Keni kryer konsultime?

Kushtetuta është ajo konsultë që prevalon. Është proces që kërkon kohën e vet; së pari konsultohet për kriteret ligjore dhe së dyti shikohet profili i kandidatit dhe ai që përputhet, dekretohet.

Mund të rrezohet Leskaj?

Opsionet teorike bien. Parlamenti ose aprovon, ose rrëzon. Pra ka një probabilitet 50 me 50. Nuk ka të bëjë më me mua.

Mbi ç’kritere u bazuat për kandidaturën e z. Leskaj, pasi opozita e ka kundërshtuar si figurë politike?

E kam të vështirë sot në Shqipëri për të gjetur njerëz që nuk janë të përzierë me politikë. Dikush me dëshirë, ose shërben me dëshirë herë në njërin krah, herë në tjetrin, natyrisht kjo zvogëlon hapësirën e përzgjedhjes. Përveç profilit të tij politik, Leskaj është një figurë që është pjesë e rretheve akademike. Pakkush ndoshta e di se është me tri fakultete, juridik, ekonomik. Është njeri që ka kontribute, nuk kanë qenë konspirative por të hapura dhe ne dëshirojmë në krye të institucioneve njerëz me kontribute... Figura e Leskajt është një figurë, e cila jep shansin që t’i largohet çdo lloj paragjykimi të karakterit politik. Duhet vlerësuar ai akademik dhe nuk duhet të kontestohet.

Kur propozuat Shehun dhe Leskajn, patët parasysh që të dy janë mbështetësit tuaj të lënë mënjanë nga PD-ja?

Asnjëherë në karrierën time nuk kam punuar me grupe. Kam tentuar të krijoj një frymë respekti reciprok. Ruaj një lloj konformizmi, apo siç thoni ju njerëzit e medias, “rebel”, unë nuk kam punuar për të krijuar grupe. Mendoj se çdo njeri krijon vetë profilin e tij. Kam qenë nënkryetar i PD-së dhe asnjëherë nuk kam tentuar për të krijuar grupazhe. Mund të ketë pasur iluzione, por nuk është e vërtetë.

Sali Shehu tha në komisionin parlamentar se ‘ju po më eliminoni si mik të Bamir Topit’ dhe se e ka për nder që është miku juaj...

Natyrisht, sikurse unë e kam për nder që e kam mik z.Sali Shehu. Nuk perifrazoj atë që ka thënë ai, por gjërat e thëna drejtpërdrejt janë më të mira sesa ato të thëna nën rrogoz. Është mirë që gjërat të thuhen hapur, pa deformime... është mirë që gjërat të thuhen hapur pasi bëhesh servil, flet sipas dëshirave të sheshit...Askush nuk e ka filluar punën si politikan. Secili ka ardhur nga një beckgraund akademik. Secili vjen me këmbët e veta në politikë, ndryshe mund të dalësh si zvarranik ose do të të lënë të zvarritesh deri në fund. Sot është momenti që njerëzit që merren me politikë, të dalin prej saj ashtu siç janë. Ata që mund të dredhin bishtin, mund të jetojnë gjatë në politikë.

Pak kohë më parë, ju u shprehët në Shkodër se Topalli duhet të flasë shqip, ndërsa ajo u kundërpërgjigj se flet gjuhën e Fishtës, Mjedës etj. Si u mbyll ky debat?

Ashtu siç u hap, u mbyll. Këto janë debate, që së paku nuk meritojnë të rikthehen sepse nuk janë debate që i shërbejnë asaj çështjeje që flasim përditë, për unitetin, për komunikimin, për vlerat e vërteta nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje. Të hiqet dorë nga debatet boshe.

Nuk po sulmoheni më nga PD-ja. Cilat janë arsyet?

...Mund t’i pyesni vetë ata. Publiku duhet ta ketë të qartë se unë nuk jam në dijeni të asnjë prej pyetjeve që po më bëni.

Si u prishën marrëdhëniet tuaja me Berishën dhe Topallin?

Edhe sot e kësaj dite nuk e kam marrë vesh profilin e kësaj klime të krijuar. Dikush duhet ta thotë. Madje, gjatë gjithë karrierës sime akademike dhe politike nuk mund të thotë njeri se kam fyer dikë. S’e kam bërë asnjëherë, as në debate në parlament. Jam përqendruar për të dhënë argumentin, sepse debati bëhet për shoqërinë dhe është i domosdoshëm pasi do të rikthehem prapë tek qytetarët për të marrë votën. Pra mendoj se kultura e komunikimit duhet të zhvillohet më tepër dhe kjo bën që institucionet të paraqiten para publikut me solemnitetin e tyre, ta demonstrojmë dhe para ndërkombëtarëve se dimë të komunikojmë. Edhe në vendet perëndimore ka debate, por nuk ka fyerje.

Nëse grupi parlamentar i PD-së ju propozon për president, ju do ta pranoni?

Deri tani di që ka pasur në mënyrë konstante jo vetëm nga kolegë, që nuk kisha as dy muaj që isha bërë president, dhe janë bërë llogaritë se kur do të iki... Të mos u rikthehemi, sepse vetë koha i ka konsumuar këto debate. Respekti vjen për institucionin dhe pozicionin. Raportet individuale i zgjedh vetë.

Në emisionin e Sokol Ballës, ju latë të kuptohej krijimin e një partie të re...

...Variacionet që lashë të kuptohet janë të ndryshme dhe një prej tyre është edhe ajo që keni kuptuar. Në këtë tavolinë (Presidencë) nuk ka opsion për të hyrë sërish në politikë. Ndonjë tavolinë tjetër jashtë këtij institucioni edhe ndoshta, por jo për momentin...

Kjo deklaratë e juaja, a besoni se ka ndikuar psikologjikisht tek Berisha dhe Topalli që të frenoheni në krijimin e partisë së re?

Nuk paragjykoj se çfarë mendojnë të tjerët. Nuk futem në subkoshiencën e të tjerëve. Nëse jam atraktiv, do të krijoj parti të re. Kam qenë i hapur dhe vazhdoj të jem i hapur dhe pastaj të gjitha opsionet janë të hapura sipas aftësive, sipas mundësive. Njeriu e provon, por është çështje e perceptimit. Secili ka një vullnet personal. Por tani po ushtroj detyrimet e Presidentit. Nuk është institucion partiak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›