Konkurentet e Miss Globe International 2009 vizitojnë qytetin e Durrësit
49 vajzat që do të konkurojnë për kurorën e ”Miss Globe International 2009”, kanë vizituar sot Durrësin, qytetin ku do të zhvillohet edicioni i 36-të i veprimtarisë ndërkombëtare të bukurisë. Përfaqësueset e 49 vendeve nga të pesë kontinentet janë pritur nga kryetari i bashkisë Vangjush Dako, i cili ka shprehur kënaqësinë e qytetarëve që konkurimi do të zhvillohet në Durrës. Organizatori i Miss Globe, Petri Bozo tha se "konkurimi do të zhvillohet më 1 nëntor në mjediset e pallatit të sportit ”Ramazan Njala” të qytetit bregdetar. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe vajzat do të përgatiten për spektaklin e madh si dhe do të vizitojnë një sërë qytetesh si dhe monumente historike dhe arkeologjike të vendit tonë, ku do të xhirohen edhe disa nga klipet dhe spotet e kësaj veprimtarie. Disa nga konkurentet i kanë dhuruar kryetarit të bashkisë mikpritëse suvenire nga vendet e tyre. Grupi i vajzave konkuruese ka zhvilluar më pas vizita njohëse në amfiteatrin antik si dhe në muzeun arkeologjik të qytetit 3000-vjeçar të Durrësit.
...