Ministri Prifti inspektoi sot punimet për ndërtimin e Petroliferës në Vlorë

"Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC-i në Vlorë garantojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe social të vendit, duke krijuar një mjedis miqësor për llogari të biznesit, për banorët përreth, si dhe për shtetin shqiptar, duke garantuar dhe lehtësuar detyrimet fiskale të klientëve dhe ulur koston administrative për shtetin", deklaroi të premten ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë një inspektimi pune. Duke i konsideruar dy nga veprat industriale më të mëdha në vend, Petrolifera Italo-Albanese dhe TEC-in, të konkretizuara në bregdetin perëndimor të qytetit të Vlorës, ministri Prifti shprehu vlerësimet e tij ndaj këtyre investimeve, si vlera jo vetëm ekonomike, por edhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Zyra e shtypit e METE-s bëri të ditur se z. Prifti e konsideroi terminalin si një nga më modernët në pellgun e Mesdheut, gjë që, sipas tij, do të mundësojë tërheqjen e kompanive më të njohura në Evropë në fushën e tregtimit të karburanteve. TEC-i i Vlorës, është një investim mbi 130 milionë euro, i financuar nga Banka Botërore dhe BERZH, i cili do të ndikojë direkt edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e turizmit në vend, duke rritur kapacitetet prodhuese të energjisë në vlerën 8% të prodhimit total vendas. Gjatë inspektimit, Ministri Prifti u ofroi përfaqësuesve të këtyre kompanive mbështetjen e tij për problemet apo pengesat që mund të hasen gjatë menaxhimit të këtyre projekteve.
...