E Shtunë, 31 Tetor 2026

I përzënë nga ndërkombëtarët, Rama ka radhën të luajë kamikazin

Thellohet dështimi i politikës së protestave, me karikaturën e Beratit. Pas braktisjes së 28 qershorit, mbrëmë Edvinit iu desh ta shtyjë tubimin nga ora 5 në orën 6, sa të binte plotësisht nata dhe të mbërrinin 2-3 autobusë të vonuar nga Fieri me rekrutë mitingjesh.
Gjinushi e Ngjela drejtojnë sulme të drejtpërdrejta ndaj ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ndërkohë që Edi Rama flet për mitingje kamikaze, me mjekra e barrikada.

I futur në një qorrsokak, ku pas Tiranës edhe Berati e injoroi pretekstin e Edi Ramës për hapje kutish, kryesocialisti ka zgjedhur të bëjë thirrje të dështuara, të tipit kamikaz, për “barrikada njerëzore përpara pushtetit”, por edhe të sulmojë organizmat ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e tyre, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mitingu i planifikuar për në orën 5, u shty dje edhe me një orë tjetër, sa errësira të mbulonte krejt qytetin, por edhe se priteshin nja 2-3 autobusë të tjerë me rekrutë mitingjesh, të cilët po vonoheshin që nga Fieri.
Pasi është kaluar edhe ky impass, i dëshpëruar në kulm, nga pritja e ftohtë e radhës në Berat, pas fjalimeve të mekura të Erjon Braçes, Fidel Yllit, Spartak Ngjelës, Paskal Milos, Skënder Gjinushit, Erjon Veliajt, etj., Edi Rama, më tepër për të karikuar e trimëruar veten, përballë mungesë së protestuesve, lëshoi “thirrjen” “për përballjen me pushtetin e sovranit”. Në fakt, Edi Rama, nuk është se priste të ngjallte entuziazëm me këtë “thirrje”, por ai i lëshoi më tepër si mesazh për ndërkombëtarët, që megjithëse e këshillojnë të tërhiqet nga këto karagjozllëqe e të hyj në Parlament, ai me kokëfortësinë e tij, preferon të mos i dëgjoj.
Ndërkohë, në prezencë të Ramës, dje nuk munguan edhe sulmet ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë, sikurse ndaj ambasadorit të BE-së, ashtu edhe ndaj atij amerikan. Ndërsa Spartak Ngjela, “pa dashje” zbuloi dje mungesën e entuziazmit të ndërkombëtarëve, përballë protestave pa protestues të opozitës, ai nuk la pa përmendur brenda “teorisë” së tij, sipas së cilës “flet shumë, por s’thotë asgjë”, ambasadorin e BE-së dhe atë amerikan në Tiranë, bashkë edhe me leksionet e demokracisë që ju dha atyre.
Sulmi ndaj ndërkombëtarëve, është gjetja më e fundit e PS-së, dhe drejtuesve të partive satelitë të saj.
Të zhgënjyer nga raportet dhe deklarimet e tyre, me doza vlerësuese për procesin zgjedhor, drejtuesit e opozitës, zgjedhin ti sulmojnë ata.
Kur këtë “lëvizje” e kryeson Gramoz Ruçi, me urdhër të Edi Ramës, sulmi ndaj ndërkombëtarëve, bëhet edhe më qesharak, për shkak të “staturës” që përfaqëson dhe “mesazheve” që përcjell Ruçi, nga pozitat e “xhaketës së vjetër të politikës së re”.
“Ka perënduar koha e Shqipërisë që mendonte se çfarë thotë njeri apo tjetri, kështu që të gjitha mediat në dispozicion të mazhorancës aktuale trumbetonin me të madhe se çfarë tha mysafiri kanadez. Demokracia, liria e fjalës, liria e pronës që ndërkombëtarët na i kanë mësuar këtu e 20 vjet më parë, tashmë janë pronë edhe e shqiptarëve, kështu që ne nuk mund të ndikohemi në shprehje, kërkesa, apo ultimatume të tilla, të kujtdo qofshin ato”, shprehej Ruçi pak ditë më parë, duke komentuar edhe qëndrimin e kreut të Senatit kanadez, për zgjedhjet në Shqipëri.
Jo më larg se dy ditë më parë, i eksituar nga shalli i kuq në qafë, ndërsa merrte pjesë në 65-vjetorin e çlirimit të Fierit, Gramoz Ruçi e çonte edhe më tej idenë e tij, për të sulmuar ndërkombëtarët si “armiq të jashtëm”. “Standardet nuk janë pronë e asnjë ndërkombëtari, por e shqiptarëve”, deklaronte jo pa inat Gramoz Ruçi nga Fieri. Nën “frymën” e Gramoz Ruçit, nuk ka mbetur pas as Sekretarja për Marrëdhëniet e Jashtme në Partinë Socialiste, Arta Dade. Për Artën D, qëndrimi i Zëvendëspresidentit të Asamblesë të OSBE-së, Ëolfgang Grossrusk, nuk është asgjë më shumë se qëndrimi i “një miku të vjetër i kryeministrit Sali Berisha”. Paranoja e Arta Dades, shkonte edhe më tej, kur mbledhjen e para pak ditëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Athinë, e konsideronte si të sajuar, vetëm për të dhënë një intervistë Grossruck, ku vlerësonte edhe një herë me nota pozitive, zgjedhjet në Shqipëri. Për Artën D, me sa duket kanë më shumë vlerë, deklarimet dhe përkrahja e Internacionales Socialiste nga Madridi, mesazhi i së cilës, për bojkotin dhe protestat e PS-së, mbërrit deri në Shqipëri nga Taulant Balla.

Opozita organizon një tjetër miting mortor

Edvini, manifestim me sheshe bosh - socialistët e trajtojnë si figurë komike

Megjithëse propagandohet fuqishëm në disa media, të kontrolluara në mënyrë direkt nga aferat e tij dhe të bashkëpunëtorëve më të afërt, Edi Rama nuk gëzon mbështetje, as të vetë socialistëve. Prej disa ditësh, ia ka filluar të endet shesheve të Shqipërisë, duke formalizuar kështu, një lëvizje tipike “haxhiqamiliste”. Një lëvizje e turpshme, që jo vetëm e ka bajatisur figurën e rëndomtë të kryesocialistit, të rimandatuar me dhunë, por edhe ka krijuar një konfuzion të panevojshëm në mbarë opinionin publik socialist, të cilët tashmë po e konsiderojnë si një figurë komike.
Mitingu i djeshëm në Berat, me moton “Hapni kutitë”, shënoi një tjetër dështim të Ramës dhe opozitën në tërësi, madje, kjo opozitë është e përbërë edhe nga disa elementë pseudo të djathtë, që shkojnë pas masovizmit të Edvinit.  
Këta individë të frustruar emocionalisht dhe që i bëjnë hije kryesocialistit të dështuar, i japin frymë dekompozimit të tij politik dhe njëherazi shkaktojnë pështjellim ndaj çështjeve me interes mbarë kombëtarë, siç është liberalizimi i vizave me BE-në, marrja e statusit të vendit kandidat etj.
Në manifestin pa njerëz, Kryetari i PS, Edi Rama deklaroi protesta e opozitës për hapjen e kutive të votimit, nuk do të ndalet deri sa të plotësohet kjo kërkesë.
“Sot protesta jonë vijon këtu, në vendin ku u grabit një mandat i ynë dhe nuk mbaron pa fituar të drejtën tonë për të parë votën. Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të dalim sot këtu, fati është tek zemrat tona. Fati i kësaj beteje varet nga kurajoja jonë për të fituar të drejtën tonë. Nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë, që po e bëjmë me të drejtën e zotit dhe ligjit”, deklaroi Rama, para atyre pak njerëzve që vetëm soditën llomotitjet e tij pa lidhje dhe absurde.
Përveç kësaj, Edvini mëshoi edhe paralajmërimin e radhës se më 20 nëntor “haxhiqamilizmi” do të shtrihet drejt Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›