E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, vdes në rrethana misterioze gjimnazistja

Familja dyshon për një infarkt, por policia nuk bindet pa marrë analizat nga trupi i viktimës

Një gjimnaziste e vitit të tretë ka gdhirë dje e vdekur në rrethana tejet misterioze, gjë që ka lënë të hapur disa pista hetimi deri në përcaktimin e shkaqeve reale të ngjarjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Okshatinë, të Komunës Shupenzë në Rrethin e Bulqizës. Marsida Veshi, 17 vjeçe, nxënëse në vitin e tretë gjimnaz, është gjetur e vdekur nga prindërit dje në mëngjes. Në lidhje me këtë ngjarje ka të dhëna tejet kontradiktore. Burime të sigurta nga policia lokale pohojnë se 17-vjeçarja është gjetur e vdekur nga prindërit aty rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, kur e ëma e vajzës, Kimete Veshi, është çuar nga gjumi prej zhurmës së televizorit të ndezur. Ajo ka tentuar t’i flasë së bijës, por ajo ka qenë e shtrirë në divan pa shenja jete. Fillimisht u dyshua se vdekja kishte ardhur si pasojë e infarktit në zemër, por ka qenë ndërhyrja e policisë kriminale, e cila pasi është njohur me ngjarjen, ka shkuar në shtëpinë e viktimës. Pasi kanë këqyrur kufomën, ekspertët kriminalë kanë vendosur që trupi i pajetë i 17-vjeçares t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkaqet që çuan në vdekjen e saj. Duket se ekspertët mjekoligjorë nuk kanë qenë të bindur plotësisht se shkaku i vërtetë i vdekjes së adoleshentes të ketë qenë infarkti, ndaj dhe kanë këmbëngulur për të bërë ekspertizën ligjore, duke lënë të hapura të gjitha pistat e mundshme të kësaj vdekjeje. Burime nga policia saktësojnë se grupit të mjekëve ekspertë mjekoligjorë në Spitalin e Bulqizës i është shtuar edhe një tjetër mjek ekspert i ardhur nga Burreli, të cilët kanë kryer gjatë orëve të mesditës autopsinë e viktimës. Sipas grupit të ekspertëve, materialet e marra gjatë kësaj ekspertize do të përcillen në Tiranë, ku dhe do përcaktohen në ditët në vazhdim shkaqet e vërteta që çuan në humbjen e jetës për gjimnazisten e vitit të tretë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›