E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenti interesant për Oscar

“The Fantastic Flying Books of Mr. Morris Lessmore” është një film i shkurtër i animuar, i cili është njëri prej filmave të nominuar për Oscar në këtë kategori. Filmi i animuar mund të shikohet pa pagesë në internet. Ai trajton mundësinë që librat të transformohen në jetë njerëzish.

Ç’do të ndodhte me filmin po të mos kishte libra? Shumë filma fantastiko-shkencorë u krijuan shpesh si adaptime të veprave të ndryshme letrare, ndërkohë që edhe shumë krijime të tjera filmike i janë kushtuar mistereve që fshihen brenda librave.

Një prej këtyre veprave është edhe filmi i shkëlqyeshëm i animuar 15-minutësh “The Fantastic Flying Books of Mr. Morris Lessmore”, i cili është nominuar për Oscar në kategorinë e filmave të shkurtër. Regjinë e filmit e kanë bërë bashkërisht William Joyce dhe Brandon Oldenburg.

Ky film i animuar inspirimin për rrëfimin që e sjellë e ka marrë përmes kombinimit të disa elementeve të ndryshme; duke filluar që nga uragani Katrina, i cili shkretëroi qytetin amerikan New Orleans, nëpërmjet “Magjistarit nga Ozi”, e deri te komeditë e Buster Keaton.

Të gjitha këto elemente pastaj janë lidhur në një tregim të bukur për entuziastin letrar Morris Lessmore, i cili përfundon në botën magjike të librave fluturues.

Filmi është prodhim i Moonbot Studio, nga Luisiana. Ky është produksioni i parë për këtë shtëpi filmike, megjithëse qysh tani mund të mburret me 13 shpërblime të ndryshme të fituara në festivalet filmike nëpër botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›