Konkurron për Shooting Stars

Qendra Kinematografike e Shqipërisë ka përzgjedhur aktorin debutues shkodran, Tristan Halilaj, i cili interpretoi në filmin e regjisorit, Joshua Marston, si përfaqësues shqiptar në programin ‘European Film Promotion - Shooting Stars 2012’. Halilaj do të konkurrojë krahas aktorëve të shteteve të ndryshme, për realizimet e tyre në filma të metrazhit të gjatë.
Për rolin e tij në filmin “Falja e Gjakut” Halilaj u përzgjodh pas një audicioni të mbajtur në shkollat e mesme të Shkodrës. Ai tani studion në Fakultetin e Arteve në Tetovë, Dega e Aktrimit.
Në filmin “Falja e Gjakut” Halilaj luan rolin e Nikut, një adoleshent ky të cilit brenga për ëndrrat e ndërprera fillon t’i shndërrohet në zemërim, e pastaj edhe në rebelim, përderisa dita ditës thur planin për përfundimin e ngujimit shkaku i gjakmarrjes.
Vitin e kaluar çmimin “Shooting Stars” e fitoi Nik Xhelilaj, për rolin e tij në filmin “Shqiptari”.
Ndryshe, “Shooting Stars” financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë. Fituesve u ofrohet mundësia e promovimit përmes takimeve me agjenci të audicionit në ‘Berlinale’, dhe vizita në festivale të ndryshme në Evropë dhe Hollywood.