100 vjet të Migjenit

Universiteti i Shkodrës, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, kanë mbajtur një konferencë shkencore për nder të 100-vjetorit të lindjes së poetit Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni.
Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit Luigj Gurakuqi, në Shkodër, profesori Artan Haxhi u shpreh se Migjenit duhet t’i jemi mirënjohës për veprën e tij, por edhe që bashkë me të kujtojmë edhe të gjithë shkrimtarët tjerë të kombit.
Ndërkaq mbesa e Migjenit, Angjelina Ceka, e vlerësoi këtë konferencë shkencore që mbahet në qytetin që Migjeni e cilësoi si “Dashnorja e Shekujve”. Ajo falënderoi studiuesit që Migjenin e mbajnë gjallë edhe sot e kësaj dite, përderisa u ndal në disa aspekte të rëndësishme të nxjerrjes në dritë të veprës së Migjenit, por edhe të spekulimeve mediale rreth studiueses, Gertruda Enkrej, dhe botimeve të tij në Bashkimin Sovjetik.
Ndryshe, Millosh Gjergj Nikolla - Migjeni u lind në Shkodër, më 13 tetor 1911, dhe vdiq në moshën 27-vjeçare, gjegjësisht më 26 gusht 1938, në një sanatorium në Torre Pellice, afër Torinos.
Arsimin fillor e kreu në Shkodër, në një shkollë serbo-ortodokse, ndërsa nga viti 1923 e deri në vitin 1925 arsimimin e vazhdoi në Tivar, ku jetonte motra e tij, Lenka. Mes viteve 1928-1932 i ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Shkrimet e para i botoi në vitin 1934, ndërkohë që bashkëpunoi edhe me revistat "Iliria", "Bota e Re", etj. Në vitin 1936 veprat e tij poetike i përmblodhi në librin "Vargje të Lira". Ndër poezitë e para të Migjenit ishin "Zgjimi", "Të Birt' e shekullit të Ri", "Shkëndija", "Shpirtënit Shtegtarë" etj. Megjithatë, vepra e plotë e Migjenit botohet tek në vitin 1957.
Në kujtim të shkrimtarit, Shkodra me emrin e Migjenit e ka quajtur Teatrin e Qytetit, i cili edhe sot e mbanë emrin e tij - Teatri Migjeni.