E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedofilia; David Braun mohon akuzat për abuzime me të miturit

I pandehuri David Braun, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur, ka mohuar dje abuzimet. Ai i ka argumentuar gjykatës se dy prej fëmijëve që edhe kanë dëshmuar në seancat e mëparshme, Denis Aliu dhe Atonion Qosheli, kanë dhënë dëshmi të ndryshme sa herë që janë thirrur në gjykatë. Ndërsa mbrojtja e Braun ka shpjeguar se në ekspertizën e kryer në klinikën ABC vërtetohej se ata ishin të abuzuar seksualisht nga Dino Christodoulu dhe jo nga klienti i saj. Ndërsa avokatja i ka kërkuar gjykatës që këtyre dy fëmijëve t’u kryhej një ekspertizë nga një mjek ekspert pediatër, që të vërtetojnë nëse kanë apo jo çrregullime mendore. Por përpallë këtyre pretendimeve, përfaqësuesi i prokurorisë i ka shpjeguar gjykatës se mjeku pediatër nuk mund të nxjerrë më shumë sesa faktin nëse këta fëmijë janë të sëmurë me grip apo jo. Dy kanë qenë pyetjet e prokurorit në drejtim të pandehurit David Braun. Pyetja e parë e drejtuar atij ishte nëse pranonte faktin që të dy fëmijët ishin të dhunuar nga Dino Chritodoulu, pyetje së cilës i pandehuri është përgjigjur me po. Ndërsa pyetja e dytë drejtuar të pandehurit ishte se ata kërkonin që të kryhej një ekspertizë fëmijëve, për të kundërshtuar vetëm dëshminë e tyre dhënë në gjykatë, kur shpjegonin se ishin dhunuar edhe nga Braun. I pandehuri ka shpjeguar prokurorin se fëmijët kanë pasur probleme me memorien, saqë ata nuk mbanin mend atë që kishin mësuar një ditë më parë. Pas përgjigjes së dhënë nga i pandehuri, prokurori i ka kërkuar gjykatës që të rrëzohej kërkesa e mbrojtjes pasi ishte e pabazuar në ligj. Trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtarit Gerd Hoxha ka pranuar kërkesën e bërë nga prokurori. Seanca gjyqësore ka vazhduar me deklaratën e të pandehurit. “Një seancë më parë kur unë e pyeta Flamur Kovaçin për Dinon, ai tha vetëm që e kishte puthur në buzë, ndërsa mua më kishte treguar se Dino i kishte futur edhe gjuhën në gojë. Unë nuk e dija gjë në kishin qenë edhe persona të tjerë që e kishin mbajtur atë”, - ka deklaruar dje i pandehuri. Më pas i pandehuri i ka paraqitur gjykatës një letër, të cilën ia kishte dërguar dëshmitarja Natasha, e cila gjatë dëshmisë së saj kishte deklaruar se nuk e shihte dot me sy të pandehurin. Sipas Braun, në letër ajo i drejtohej atij, duke i thënë që e donte shumë dhe se ai ishte një baba për të. I pandehuri i ka kërkuar gjykatës që kjo letër të merrej si provë materiale. Nga ana tjetër, avokatja mbrojtëse i ka bërë me dije gjykatës se ajo kishte një tjetër dosje me letra, që qenë më të rëndësishme se ajo e klientit të saj dhe se përcaktonte ajo çfarë prova duhet të merrte gjykata dhe çfarë jo. Kryesuesi i trupit gjykues i ka bërë me dije gjykatës se letra ishte kërkuar nga i pandehuri dhe ajo si mbrojtëse ligjore duhet të përcaktonte nenin përse duhej që gjykata ta merrte atë si provë. Por neni i dhënë nga mbrojtja nuk argumentonte provën. Për këtë gjykata ka rrëzuar kërkesën, duke argumentuar se letra e viti 2006 nuk ishte dorëzuar në kohë dhe nuk vërtetohej se atë e kishte shkruar dëshmitarja. Seanca e radhës gjyqësore do të zhvillohet në datën 15 tetor, ku përfaqësuesi i prokurori do të lexojë dhe konkluzionet përfundimtare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›