E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nderi i Kombit”, Presidenti dekoron Selman Rizën



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje albanologun Selman Riza me Urdhrin “Nderi i Kombit” (Pas vdekjes), me motivacionin: “Shkencëtarit të shquar, që me veprën e tij krijoi një thesar të çmuar në fushën e gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, personalitetit të spikatur, me kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë”. Me këtë rast, në Presidencë u zhvillua ceremonia solemne. “Më lejoni zoti President, që në emër të familjarëve, të afërmeve dhe njohësve të veprës së Selman Rizës, t’ju shpreh nderimet e sinqerta për vlerësimin e veprimtarisë së tij disarrafshëse!”, - tha Emin Riza, i biri i albanologut. Veprimtaritë e gjera në Kosovë, me ndihmesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e të Komunës së Gjakovës, të cilat krahas kujdesit për rivarrimin e eshtrave të Selman Rizës në vendlindje, ngritjes së bustit në qendër të Gjakovës dhe dekorimit me Medaljen e Artë të Lirisë prej Presidentit të Kosovës, zotit Fatmir Sejdiu, u shoqërua me botime të rëndësishme. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, prof. Gudar Beqiraj, nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, prof. Besim Bokshi, rektorë dhe dekanë të universiteteve, albanologë dhe gjuhëtarë, anëtarë të Akademisë së Shkencave, të Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës si dhe të kabinetit të Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›