Krimet e Rënda: 21 vite burg për trafikim lëndësh narkotike
Tiranë - Gjykata e Krime të Rënda dënoi dje me 21 vite burg, tre të pandehurit e akuzuar për trafik të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë. Nëpërmjet vendimit, Gjykata e Krimeve të Rënda tha se ka dënuar me shtatë vjet e katër muaj të pandehurin Aleksandër Kapaj. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij Blenard Gremin dhe Përparim Llanaj janë dënuar me nga gjashtë vjet e tetë muaj secili. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria tre të pandehurit dyshohet se ishin autorë të trafikut të 4 kilogramë lënde narkotike që shihni në foto, ku 1.5 kg ishte kokainë dhe 2.5 kg heroinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, deklaroi se i pandehuri Aleksandër Kapaj, dyshohej të ishte edhe koka e këtij trafiku, i cili doli se kishte gjetur sasinë e lëndës narkotike në Tiranë dhe më pas ia kishte dhënë korrierit të tij, Përparim Llanaj. Ndërsa Blenard Gremi me profesion taksist, do të kryente edhe transportin në drejtim të Greqisë. Blenard Gremi u vu në pranga më 29 tetor të vitit të kaluar në sajë të operacionit të koduar “Taksisti”. Pas kalimit të çështjes nga prokuroria e Fierit si kompetencë hetimore në Prokurorinë e krimeve të Rënda, u bë i mundur edhe zbulimi dhe identifikimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Llanaj dhe Kapaj, u vunë në pranga më 27 dhjetor të vitit të kaluar pas përgjimeve të kryera ndaj tyre.
Arrestohet në tentativë vrasjeje ish- i dënuari për agjitacion e propagandë
Pukë – Një burrë në moshë të thyer, i dënuar në vitet e diktaturës komuniste për agjitacionin e propagandë, nuk i ka lënë përballjet me ligjin, pasi dje ai ka tentuar të vrasë një fqinjin e tij për një vijë uji. Burime nga policia informuan se është kryer kapja dhe arrestimi në flagrancë i 75-vjeçarit Ali Arifaj, lindur dhe banues në fshatin Kryezi, komuna Qafë Mali i rrethit Pukë. Arrestimi erdhi një orë pasi ai, ndërsa gjendej në vendbanimin e tij në lagjen “Arifaj” të fshatit Kryezi, në grindje e sipër për vaditje uji ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistolete, shtetasin Besim Arifaj, fqinjë i tij. Në fakt ngjarja precipitoi. Fillimisht Ali Arifaj ka gjuajtur në drejtim të Besim Arifajt. Pak çaste më vonë, ky i fundit, (Besim Arifaj), ka arritur t’i marrë pistoletën. “Nga ana jonë janë kryer veprimet procedurale ku është bllokuar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip pistoletë me nr C-197539", - deklaroi policia. Nisur nga sa më sipër, i arrestuari Ali Arifaj sipas policisë, ka konsumuar elementët e veprave penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Policia konfirmoi edhe faktin se Arifaj, përveçse ishte dënuar më parë për veprat e atëhershme penale të agjitacionit dhe propagandës, edhe për krimin e vrasjes së mbetur në tentativë dhe rrahjen.
28 Korrik 2009