Konkursi “Gjenerata e Inovacionit”, nxënësit në Korçë prezantojnë projektin “Sinteza”

Në kuadër të konkursit kombëtar “Gjenerata e Inovacionit”, organizuar nga Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, nxënësit e Shkollës Profesionale Teknike në Korçë prezantuan projektin e tyre “Sinteza”, një ide që synon prodhimin e energjisë përmes paneleve fotovoltaike të vendosura në godinën e shkollës.
Pjesëmarrja në këtë konkurs ishte një përvojë e veçantë, sepse u dha mundësinë dy të rinjve të prezantojnë idetë e tyre.
“Ne dëshironim që të implementonim panelet diellore në shkollën tonë, të cilat do të na mundësonin prodhimin e energjisë elektrike. Konkursi shkoi shumë mirë. prezantimi doli jashtë mase bukur. Në konkurs merrnin pjesë 11 ekipe, nga të cilat u përzgjodhën tre fitues. Ndihemi të kënaqur që arritëm të merrnim pjesë në këtë konkurs dhe presim që më vonë të marrim financim dhe ta realizojmë idenë që kishim,” tregon nxënësi Egidio Myftarago.
Ideja për këtë projekt lindi nga nevoja për të ulur kostot e energjisë në shkollë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit.
“Duke parë edhe vetë nevojat e shkollës, duke parë që kishim një sistem jo shumë të qëndrueshëm të energjisë, kostot e larta që rëndonin mbi buxhetin e shkollës çdo funddhjetor, dhe mungesa e monitorimit të konsumit në kohë reale dhe shumë të tjera si këto na bënë të mendonim për projektin që e quajtëm ‘Sinteza’. Nuk u zgjodhëm fitues, por presim që të bëhet rikonstruksioni i shkollës dhe pse jo, të futet edhe ky projekt në rikonstruksion. Kështu që mund të vijë në jetë ideja që ne propozuam,” shprehet nxënësi Daniel Shaban.
Edhe pse nuk u renditën në mesin e fituesve, nxënësit shpresojnë që projekti të marrë mbështetje dhe të vihet në zbatim, duke sjellë përfitime konkrete dhe një hap drejt një të ardhmeje më të gjelbër për shkollën e tyre.
/rtsh.al/