E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët: Rruga po na ndan më dysh

Banorët e fshatrave të Mirditës ankohen se autostrada Rrëshen-Kalimash po ua ndan më dysh tokat ndërsa nuk po kompensohen për pronat e humbura

Segmenti 3 përfshin një tunel me dy shpime paralele 5.5 km të gjatë, që kalon përmes Malit Qafa e Kumbullës. Ky tunel do të jetë ndër më të gjatët në rajon

Tashmë kur ka filluar konfigurimi nga dizajni në letra, në trase në terrenin e autostradës Durrës-Kosovë, për segmentin Rrëshen-Kalimash, nëpër fshatra të ndryshme nga kalon kjo rrugë po vihen re dhe anomalitë e projektit, ku nuk janë marrë parasysh probleme jetësore që po u shkaktohen banorëve të këtyre anëve.

Kështu, përveç problemeve në dëmshpërblimin e pronave, kalimin fare afër disa banesave të cilat nuk janë listuar fare për shpronësim dhe që tani kuptohet se është e pamundur të jetohet 6-7 metër afër nga kjo rrugë, janë dhe probleme të tjera që po sjellin ndarjen e fshatrave apo lagjeve në gjysmë, madje edhe të vetë një ekonomie fshatare. Kjo për faktin se nuk janë marrë parasysh nevojat e nënkalimeve me tumbino të mëdha ku të ketë dhe kalime makinash në zonat rurale.

Në një takim të djeshëm në mes banorëve të fshatrave të Gëziqit, Ndërfandës dhe Ndërfushasit me përfaqësues të Bechtel-Enka, janë theksuar këto probleme nga banorët, gjë për të cilat prej një viti ata kanë kërkuar të merren parasysh, por që askush nuk është kujtuar për to. Por banorët kanë sjellë para këtyre drejtuesve edhe shqetësime të tjera, që me prishjen e burimeve të ujit, të rezervuarëve të vaditjes, tronditjen dhe shembjen e çative apo plasaritjen e mureve të shtëpive nga plasjet me dinamit, gjë për të cilën ata nuk janë dëmshpërblyer dhe shtëpitë po u bëhen të pabanueshme. Në këtë aspekt ata kanë përmendur dhe rrezikimin e jetëve të fëmijëve sidomos. Kështu Pashk Leci tha se nga shpërthimi i 2,5 ton tritoli i është shkatërruar thuajse e gjithë shtëpia, por askush nuk po merret me ne, që të na dëgjojnë të paktën. Një banor tjetër, Vlash Gjoci, tha se nga ndërtimi i një ure janë dëmtuar dhjetëra ha tokë dhe askush nuk po u jep përgjigje, pasi nuk ka qenë e përcaktuar në projekt. Lagje të tëra si në Gëziq apo Ndërfandë janë ndarë në dy pjesë dhe nuk shihet të ndërhyhet në projekt për nënkalime. Nikoll Biba, tha se më janë shkatërruar mbi 3 ha tokë dhe askush nuk më jep përgjigje. Edhe banorë të tjerë të këtij fshati kanë ngritur probleme të ndryshme, si dëmtim të tokës së pa shpronësuar, dëmtim rezervuarësh dhe ujësjellësish, izolim të lagjeve të ndryshme nga qendra e fshatit etj.

Në përgjigjen e saj për problemet e shkaktuara shefja e marrëdhënieve me publikun për Bechtel-Enka, Iva Zagar, tha se jemi duke u munduar që problemet të marrin zgjidhje sa më shpejt, por problemet nuk janë të lehta, pasi po kryhen volume të mëdha punimesh. Ne punojmë në shumë vende të botës, edhe unë personalisht kam punuar në pesë vende. Ne mundohemi që punën ta bëjmë me sa më pak probleme për banorët, por këto ndodhin, jemi në dijeni të shqetësimeve dhe inxhinierët tanë po punojnë për t’u dhënë zgjidhje. Jemi në fazën kur tashmë është ngritur një grup pune që të evidentohen të gjitha problemet. Për këtë ka garanci të plotë, por më parë ne po evidentojmë problemet. Problemi me rrugët dhe linjat nuk janë përgjegjësi e firmës, por e projektuesit. Ndërkohë që shpronësimet janë kompetencë e qeverisë dhe deri më tani janë shpronësuar rreth 500 prona, kryesisht tokë bujqësore. Iva Zagar pranoi se janë bërë edhe gabime, por këto kanë ardhur si rezultat i faktit se jemi ballafaquar me të papritura në aspektin gjeologjik të tokës nga kalojnë traseja e rrugës, dhe për pasojë është dashur të lëvizet prej projektit fillestar. Ne jemi ndërtues dhe zbatojmë projektin që na është vënë përpara. Ajo u tha banorëve se duhet durim dhe se gjithçka do të marrë zgjidhje. Edhe pse mund të përfundojë traseja dhe të zhvendosen makineritë e rënda, kjo nuk do të thotë që ne do të ikim. Ne do të jemi këtu deri në përfundim të gjitha punëve dhe problemeve tuaja që kanë ardhur nga puna për ndërtimin e rrugës.

Disa të dhëna për ndërtimin e autostradës Rrëshen – Kalimash

Projekti i Autostradës në Shqipëri parashikon ndërtimin e një autostrade prej 61 km, me katër korsi, e cila fillon në Rrëshen, në Shqipërinë Qendrore dhe zgjatet në veri-lindje deri në Kalimash, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Projekti po zbatohet nga ndërmarrja e përbashkët Bechtel-Enka, nën një kontratë me çmim njësi të caktuar, të nënshkruar me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të Shqipërisë. Është projekti më i madh infrastrukturor i zbatuar ndonjëherë në Shqipëri. Pas përfundimit, autostrada Rrëshen-Kalimash do të jetë pjesë e një autostrade prej 170 km që lidh bregun e Adriatikut me kufirin me Kosovën. Autostrada e projektit në fjalë, do të jetë një segment i rëndësishëm i transportit rrugor kombëtar në Shqipëri, sepse realizon një lidhje jetike me Kosovën dhe rajonin. Ndërtimi i autostradës është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet Portit të Adriatikut në Durrës. Si gjatë ndërtimit, edhe pas përfundimit, autostrada do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në malet e Shqipërisë veriore.

Nga pikëpamja teknike, autostrada është e ndarë në tre segmente:

1.Rrëshen – Reps (19.5 km)

2. Reps – Thirrë (26.5km)

3. Thirrë – Kalimash (14.8 km)

Totali: 61 km.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›