E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkursi “Unë dhe Evropa”,fitues gjimnazi “Qemal Stafa”

Pas rreth dy muajsh konkurs lidhur me njohuritë për funksionimin e Bashkimit Evropian, gjimnazi kryeqytetas "Qemal Stafa" është shpallur fitues.

ADI SHKEMBI

Në kuadër të "Javës Evropiane" është zhvilluar dje ceremonia e përfundimit të kësaj gare mes gjimnazeve të të gjithë qyteteve, ku Ministrja e Integrimit i dorëzoi edhe çmimin gjimnazit të Tiranës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ambasadori i delegacionit të BE-së në Tiranë, Lohan, ambasadorë të vendeve të tjera akredituar në Tiranë dhe zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata. Ishin 24 shkolla të mesme nga i gjithë vendi pjesëmarrëse në këtë konkurs, të cilat shpalosën njohuritë e tyre për BE-në dhe Procesin e Integrimit Evropian të Shqipërisë, bazuar në literaturën e shpërndarë nga Ministria e Integrimit. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e njohurive tek të rinjtë për BE-në dhe Procesin e Integrimit Evropian dhe përgatitja e tyre për t'u përfaqësuar denjësisht në komunitetin e vlerave evropiane. Pas fazës gjysmëfinale dhe asaj finale, zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Integrimit, dje në garën finale ishin shkollat "28 Nëntori" i qytetit të Shkodrës, "Hydajet Lezha" i qytetit të Lezhës dhe "Qemal Stafa" e Tiranës. Fituese u shpall shkolla "Qemal Stafa". Skuadra fituese do të udhëtojë një javë në Bruksel, për të vizituar dhe parë nga afër institucionet e BE-së. Sipas ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, të gjitha këto aktivitete kanë synuar të kenë si protagonistë kryesorë të rinjtë, jo vetëm të Tiranës, por dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë. Një tjetër projekt i rëndësishëm, sipas organizatorëve, zhvilluar në kuadër të "Javës Evropiane" dhe në kuadër të Strategjisë së Komunikimit me Publikun, ishte realizimi dhe transmetimi në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar të një cikli dokumentarësh për historikun e Bashkimit Evropian dhe pozicionimi i saj në arenën botërore; për historikun e Parlamentit Evropian; për zgjerimin e Bashkimit Evropian, për emigracionin në BE etj. Dy ditë më parë, po në vijim të veprimtarive të Javës Evropiane, u organizua në Ministrinë e Integrimit dita e dyerve të hapura. Nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të fakulteteve të ndryshme, ishin vizitorë për disa momente në ambientet e ministrisë.

Dyert e hapura

Gjatë "Javës Evropiane", Ministria e Integrimit ka mundësuar "Ditën e dyerve të hapura", ku nxënës të shkollave të mesme kanë pasur mundësi të vizitojnë nga afër ambientet e kësaj ministrie. Qindra nxënës të të gjithë gjimnazeve të kryeqytetit, por edhe të qyteteve përreth, janë shoqëruar nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, por edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë për të parë ambientet e saj.

Informimi i qytetarëve

Sipas Ministrisë së Integrimit, "që ky proces të mos mbetet thjesht një debat mes forcave politike apo një dialog zyrtar mes Tiranës dhe Brukselit, është synuar që në krye të herës të bëhet informimi i qytetarëve, për gjithë ecurinë e procesit, për rëndësinë e nismave dhe reformave që duhen kryer për të mbërritur në destinacionin e duhur në Evropë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›