E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astma dhe kolla, të lidhura me refluksin

Kolla e vazhdueshme, por dhe astma bronkiale shpesh janë “bashkëshoqëruese” të urthit. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo episod urthi të trajtohet dhe ekzaminohet në kohë, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet e mundshme.

AIDA MALAJ

 Në një intervistë për “Panorama”, mjeku gastro-hepatolog, Altin Cekodhima, shpjegon se çfarë lidhjeje ekziston mes kollës së vazhdueshme dhe astmës bronkiale dhe çfarë mund të bëhet në këto raste.
Doktor, është e vërtetë që ka raste kur refluksi të shfaqë kollë kronike?
Po, në mjaft raste refluksi gastro-ezofageal shfaqet me shenja atipike, pra, jo me shenjat klasike që shfaq shpesh kjo sëmundje. Të tilla përfaqësohen nga sëmundje të aparatit të frymëmarrjes në veçanti astma bronkiale, kolla e vazhdueshme e pashpjegueshme dhe sëmundje që prekin laringun. Sipas studimeve të ndryshme, refluksi pastro-esofageal është përgjegjës për 10-20% të rasteve të kollës. Ndonjëherë, kolla mund të jetë e vetmja shprehje e refluksit gastro-ezofageal; Gjithsesi, shpesh janë të pranishme shenja të tjera si ndjesia e djegësirës, zgjim me shije të hidhur në gojë, etj. Me kalimin e kohës dyshohet për praninë e refluksit pastro-ezofageal dhe pacienti i drejtohet gastro-endoskopisë. Kolla kronike që nuk trajtohet me kurat “klasike”, është mjaft e shpeshtë te personat që vuajnë nga refluksi. Mendohet se refluksi acid arrin trakenë dhe bronket, duke shkaktuar një reagim inflamator. Madje, mendohet se pjesa më e madhe e pacientëve me astmë jo alergjike vuajnë dhe nga refluksi gastro-ezofageal.
Çfarë lidhjeje ekziston mes astmës bronkiale dhe refluksit?
Tashmë lidhja mes këtyre patologjive është e dokumentuar.
Ekzistojnë studime të ndryshme në botë që flasin për praninë e refluksit te gati 50 % e pacientëve astmatikë jo alergjikë. Dy janë mekanizmat që mendohet se ndikojnë, një teori “e refluksit” dhe një teori “si refleks”. Në rastin e parë simptomat respiratore shkaktohen nga thithja e lëngut gastrik në pemën bronkiale, ndërsa në rastin e dytë, shkaktohet nga një refleks që shkaktohet nga refluksi acid në nivel të pjesës së poshtme të ezofagut. Të dyja teoritë shfaqin të dhëna klinike bindëse dhe mendohet se, ndikojnë të dy mekanizmat. Veç kësaj, në disa raste simptomat e astmës përputhen me simptomat tipike të refluksit, madje është e vërtetë që në pjesën më të madhe të rasteve simptomat respiratore janë lehtësisht të predominuara nga ato gastro-ezofageale janë të pakta ose gati mungojnë; kjo të çon të mendosh për praninë e refluksit në pacientët astmatikë, sidomos tek ata që i përgjigjen pak terapisë anti-astmatike.
Çfarë mund të bëhet në këto raste?
Nëse episodet e refluksit bëhen mjaft të shpeshta dhe zgjasin për një kohë të gjatë, ato bëhen patologjike. Në këto raste ka mundësi që të ndikojë në shpërthimin e reflekseve nervore ose dhe material gastrik të thithet në bronke dhe të shkaktojë kriza astmatike, sidomos gjatë natës. Prandaj është e nevojshme që përveç trajtimit te mjeku alergolog, këta pacientë të mbajnë kontakte të vazhdueshme dhe me mjekun gastro-enterolog, i cili do të dijë të përcaktojë nëse episodet e refluksit janë patologjikë ose jo dhe se si mund të trajtohen këto probleme.

Predispozicioni

Grupmoshat më të rriskuara

Dihet që probabiliteti për t’u prekur nga refluksi rritet me kalimin e moshës. Në përgjithësi, risku shtohet pas të 40-ve dhe më tepër shfaqet gjatë moshës 65-70 vjeç.

Shenjat atipike të refluksit
 Ngjirje zëri
 Vështirësi në gëlltitje
 Gëlbazë 
 Ndjesia e një “mase” apo diçkaje në grykë
 Kollë kronike e pashpjegueshme
 Djegie fyti

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09       
E-mail:panorama_shendet@yahoo.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›