E Diel, 1 Nëntor 2026

Zheji: VIP-a të politikës do firmosin sot



Aristir Lumezi

Kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji tregon detajet e mitingut të sotëm të qytetarëve për mbajtjen e referendumit popullor. Ai shprehet se, frika e dy partive PD-PS për mbajtjen e referendumit ka lidhje me kompleksin e fajit në ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, ideja e referendumit do të mbështetet me firma nga njerëz VIP në politikë dhe jetën shoqërore, duke nisur kështu, një proces të gjatë të grumbullimit të kërkesave për mbajtjen e tij brenda muajit dhjetor.
Zoti Zheji, ju jeni tashmë drejtues i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës. Mund të vendoset një paralelizëm mes Komitetit për Shpëtimin Kombëtar dhe komitetit të sapo krijuar?
Unë mendoj se ka një paralelizëm, kuptohet, jo në tërësinë e vet, sepse janë rrethana të ndryshme, mbi të cilat janë ngritur këto komitete. Paralelizmi është ky: Deformimi që i është bërë Kushtetutës në nenet kryesore, të cilat lidhen së pari me një dobësim flagrant të rolit dhe forcës së presidentit si garant i institucioneve kushtetuese, garant i gjyqësorit, nga njëra anë dhe një forcimim tejet artificial dhe tejet i befasishëm i rolit të kryeministrit, na vë ne përpara një sfondi kushtetues të shndërruar dhe të përmbysur në thelbin e vet. Këtu kemi dy momente kryesore: Momenti i parë, procedurat për të ndryshuar thelbin e Kushtetutës u bënë në një kohë rekord, pa konsultime, pa e hedhur në një debat me publikun dhe personat e specializuar. Metaforikisht, kjo u bë natën me kohë të keqe, nëpër kulisa dhe në korridore afër banjave në Kuvend, dhe nga ana tjetër produkti i kësaj marrëveshje, përbën një kërcënim për formën e republikës që do të ketë Shqipëria. Sepse normalisht, shkojmë nga një republikë parlamentare, në një republikë kryeministrore, pra në një kancelari shumë të fortë dhe gjithë kjo është bërë në harkun e shumë pak orëve në këtë komplot antikushtetues. Nga kjo pikëpamje, ky komitet i apelohet nevojës shumë të madhe që ka Shqipëria për të shmangur këtë deformim dhe denatyralizim të Kushtetutës.
Mendoni se frika e dy partive për moszhvillimin e referendumit ka të bëjë edhe me një votë plebishitare, që në rast të fitores në referendum do të ishte një votë kundër edhe dy partive kryesore në vend, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme?
Ajo mund të jetë një frikë që ata mund të kenë, por neve kjo nuk na intereson, pasi nuk është koeficient në ekuacionin tonë. Përkundrazi, unë mund të them se të kesh frikë apo të demonstrosh frikë nga konsultimi masiv popullor, për një parti që e quan veten parti opozitare, por që opozitë nuk po bën, mendoj se është një kompleks i rëndë. Por, këtë le ta tregojnë shqiptarët. Sa për natyrën tonë transversale, mbi bazën e të cilës kemi konceptuar edhe këtë komitet, kemi ftuar edhe PS dhe kreun e saj zoti Rama, por edhe zotin Berisha, të cilët le ta hedhin këtë shndërrim tërësor të Kushtetutës në një konsultim popullor. Eshtë e drejta e tyre. Ne nuk jemi dakord me mënyrën e ndryshimeve dhe produktin e dalë prej saj, e bërë në mënyrë kulisash, prandaj nuk e kemi për retorikë faktin që, i ftojmë ata të mbledhin firma. Ne kemi aktualisht sinjale se, ata kanë frikë nga ballafaqimi me popullin dhe votën e tij. Të kesh frikë nga vota e popullit, do të thotë të kesh një kompleks faji, të cilin le ta mbajnë dhe ta gëzojnë. Ky kompleks faji tregon se, ata kanë qenë të vetëdijshëm për vendimet e tyre në Kuvend.
Dy ditët e fundit kemi zëra nga PS që interpretojnë nene të Kushtetutës, duke hedhur kështu poshtë mbajtjen e referendumit. Si i gjykoni ata?
Ata nuk flasin thjesht për nene, ata flasin për disa pamundësi teknike, që lidhen gjoja me faktin se, referendumi nuk mund të mbahet 6 muaj para zgjedhjeve. Realisht, shpejtësia në mbledhjen e firmave dhe paraqitja e tyre në institucionet përkatëse do të bëjë të mundur që afatet që lidhen me datën e zgjedhjeve të respektohen, pra do të jemi gati për ta përfunduar pjesën e parë të firmave për referendum brenda muajit dhjetor të këtij viti. Kjo do të thotë se, respektohen të gjitha afatet. Ka një panik të madh që mund të reflektohet edhe me ndërlikime artificiale institucionale. Por ne besojmë tek Gjykata Kushtetuese dhe tek Presidenti i Republikës. Në këtë pikë mendoj se, janë shprehje të panikut dhe jo të arsyes.
Ndërkaq, nesër do të kemi mitingun e madh të protestës, i cili inicion edhe mbledhjen e firmave të para simbolike. Si është konceptuar kjo protestë?
Protesta është konceptuar si gjithnjë me një dominim popullor të sheshit 'Skënderbej', për të shprehur vullnetin e tyre pro referendumit dhe kundër shqetësimit që është krijuar në popull dhe opinionin publik se, kjo marrëveshje mes PS dhe PD po konstituon një lloj kaste, e cila ka nga pas një regji politike dhe ekonomike, që do të thotë, krijimin e monopoleve të ngurta politike, pra ruajtja me çdo kushte e froneve, e cila reflektohet nga një regji e mbrapshtë e monopoleve transversale ekonomike, që i korrespondojnë monopoleve politike. Në këtë pikëpamje mendoj se, njerëzit duhet të shprehen dhe duke i sqaruar edhe përmes piacës, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë rëndësinë e referendumit, të denoncohet kjo që ndodhi edhe njëherë. Në protestë do të ketë edhe disa stenda, ku do të ketë aderime reale dhe simbolike që do të firmosin për mbajtjen e tij.
Gjatë këtyre dy ditëve, që prej shpalljes së këtij komiteti, cila është përqasja e intelektualëve dhe shoqërisë civile që ndikon edhe në publik?
Ne kemi pasur kontakte me shumë anëtarë të shoqërisë civile, një pjesë e së cilës i është përgjigjur në linjën e parë, duke u angazhuar me fytyrën e tyre, me kapitalin e tyre moral dhe publik kësaj lëvizje dhe këtij komiteti. Një pjesë qëndron më në hije për arsye se, është edhe pjesë e guximit qytetar dhe personal që të dalësh kundër kësaj dysheje shumë të rrezikshme. Në fakt, ne themi se Berisha është një njeri autoritar, dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, por kur atij i bashkohet edhe një lider i opozitës, nuk ka hapësira të ekzistencës së pavarur kur bëhen bashkë dy njerëz që duhet të ishin antagonistët kryesorë. Nga kjo pikëpamje, ne i mirëkuptojmë një pjesë të tyre që rrinë në tavolina bisedash, shprehin mendimin e tyre dhe mendoj se, do të jenë firmëtarë dhe një pjesë tjetër, është e trembur dhe me paragjykime të vogla mikroborgjeze, duke menduar "jam rehat në shtëpinë time", "nuk kam besim tek ky komitet". Por, po kjo pjesë dhe ajo e pashpallur ashtu, edhe ajo gri, mendoj se kur të shohin forcën e reagimit masiv popullor do të dalin nga hija e reve që i mban në një strehë të murrme dhe do të bashkohen, sepse do të kenë më pak frikë brenda shumicës.
Kontestimet më të mëdha ndaj referendumit vijnë nga ana e Partisë Socialiste, ndërkohë që ato ndryshime për të cilat kërkohet mendimi i popullit, propozimi ka ardhur nga PD. Si e shpjegoni një gjë të tillë?
Në radhë të parë, ka një paqartësi përsa i takon mendimeve. Pasi vetëm formalisht ato kanë ardhur nga PD-ja, apo janë gatuar në një kuzhinë të përbashkët me PS e për t'ia servirur më pas opinionit si një moment në emër të stabilitetit nga ana e PD-së. Por sa më shumë kalon koha, përmes kontakteve që kemi, mjaft socialistë edhe relevantë, e ndjejnë veten keq në këto momente, pasi po e kuptojnë se kjo marrëveshje është vetëm për Ramën dhe Berishën dhe gjithnjë më pak për socialistët e tjerë, dhe ky lloj 'off side' artificial pjesë e së cilës ata ndjehen, i bën të hutuar nga njëra anë dhe më të prirur ndaj Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Unë mendoj gjithashtu se, edhe vetë zoti Rama mund të ketë një lloj sensi pendese për këtë që ka bërë, pasi në mënyrë pragmatiste, nëse do të bëjë kalkulime qoftë rreptësisht politike, e gjithë kjo histori do t'i shndërrohet në një bumerang politik për të. Kështu që, nuk do habitesha nëse ai do të merrte kurajën të firmoste për referendumin.

Ilir Meta
Kreu i LSI-së ka marrë pjesë dje në një takim që zhvilloi Lëvizja për Politikë Institucionale e drejtuar nga Petro Koçi, duke mbështetur këtë iniciativë të socialistëve të vërtetë. Meta kërkoi "largimin pa kushte të Sali Berishës nga drejtimi i qeverisë, jo vetëm për shkak të dështimeve, por për t'i hapur rrugë drejtësisë". Sipas tij, "kreu aktual i PS-së, Edi Rama, po mbron Berishën duke thënë se, 'Berisha është partneri ynë zyrtar për reforma', që do të thotë se ata marrin përsipër që të ndajnë përgjegjësinë për rritjen e korrupsionit bashkë me Berishën".

Paskal Milo
Partia Demokracia Sociale përmes kryetarit të saj, Paskal Milo, i bëri thirrje qytetarëve, që "sot më tepër se kurrë të reagojnë, jo vetëm për këtë atentat ndaj Kushtetutës, por për të gjitha krizat që po sjell kjo qeveri e kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha. Duke u ndalur në bashkëpunimin e fshehtë Rama-Berisha, Milo tha se, "Kryeministrit tonë të nderuar, Sali Berisha, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hedhë vallen dyshe me Partinë Socialiste për të ashtuquajturat reforma të mëdha". Milo ka kërkuar pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve për të ruajtur votën e tyre.

Petro Koçi
Petro Koçi ka zyrtarizuar Lëvizjen për Politikë Institucionale si fraksion brenda PS-së. Në këtë takim përurues ishin prezentë dhe ish-deputetë socialistë si Luan Rama, Gjergj Koja, Makbule Çeço etj. Petro Koçi tha se, "ne sot fillojmë takimet dhe veprimtarinë e parë publike për të mbrojtur republikën parlamentare nga privatizimi i Sali Berishës. Bashkimi i një pjese të opozitës për të realizuar ëndrrën e Kryeministrit Sali Berisha për ta kthyer republikën tonë në republikë kryeministrore, është vërtet një veprim i shëmtuar dhe që përbën një nga komprometimet më të rënda zyrtare të një pjese të opozitës", tha Koçi.

Firma të noterizuara
Kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, shprehet se firmat e qytetarëve për referendum do të jenë të noterizuara dhe autentike. "Firmat e qytetarëve do të jenë të autentifikuara, të noterizuara dhe vërtetësia e firmës do të jetë katërcipërisht e siguruar. Kjo për të mbyllur çdo lloj shtegu keqkuptimi apo keqinterpretimi mbi vërtetësinë e firmave. Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës ka edhe një staf juristësh, të cilët monitorojnë në mënyrë shumë të përpiktë këtë pjesë mjaft të domosdoshme të procedurës", tha Zheji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›