E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortuzi: Më vjen keq që ika pa trofe

“Dëshira ime e madhe ishte të largohesha me një trofe.

Është vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time futbollistike, një lamtumirë që për fat të keq nuk u shoqërua me ngritjen e të paktën një trofeu, kur e kisha menduar se të paktën Kupën e Shqipërisë do të fitoja”, tha futbollisti i shquar i Tiranës, Indrit Fortuzi në konferencën e tij për shtyp ku zyrtarizoi edhe largimin nga futbolli, teksa topin e fundit do ta shkelmojë gjatë takimit të javës së ardhshme, kur bardheblutë do të përballen me Teutën ditën e mërkurë. Kështu, pas 18 vjetësh futboll të luajtur në nivel të lartë, duke filluar nga viti 1990, kur “Zogu” ishte vetëm 17 vjeç, kampioni i madh vendos t’i japë fund karrierës, jo duke pritur si të tjerët përfundimin e sezonit, por si për ta bërë edhe më “tragjike” ndarjen, e jep atë tri javë para përfundimit të kampionatit. Klubi me më shumë trofe në Shqipëri - 23 kampionate, 13 kupa të Shqipërisë, 9 Superkupa – nuk do të përfaqësohet në Europë. Por, përveç humbjes së finales së Kupës e përjashtimit të tre titullarëve (Duro, Sina e Vrapi), klubit kryeqytetas do t’i mungojë edhe një kampion i madh. Sulmuesi Indrit Fortuzi, ikona e Tiranës post-1990 paralajmëroi varjen “këpucët në gozhdë”, që do të thotë se në sezonin e ardhshëm futbollit shqiptar do t’i mungojë një nga ikonat e mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›