“Konomi”, letërkëmbim mes Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë për pamjet filmike
Grupi hetimor ka shfaqur interes për njerëzit që kanë marrë pjesë në seancën e 14 qershorit në Gjykatë të Lartë, ku Skerdilajd Konomi fitoi 1700 ha tokë. Përgjigjja e Gjykatës së Lartë: Pamjet video ruhen vetëm 15 ditë nga serveri i kamerave të sigurisë
Tiranë Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi i ka fokusuar hetimet në konfliktet që mund të kenë lindur pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Informacionet e mbledhura gjatë hetimeve të ngjarjes së rëndë e kanë orientuar punën e Prokurorisë rreth 14 qershorit, ditës kur në shkallën më të lartë të gjyqësorit u shpall vendimi që i njeh familjes Konomi dhe trashëgimtarëve të tjerë sipërfaqen prej 1700 ha tokë si pronë të ligjshme. Personat që kanë qenë në sallën e gjyqit si palë dhe njerëz të tjerë, të interesuar për pronat në bregdet, janë futur në filtrat e hetuesve, të cilët kanë kërkuar edhe kamerat e sigurisë në Gjykatën e Lartë. Burime nga grupi i hetimit i thanë MAPO-s se dëshmitarët nuk kanë mundur të identifikojnë të gjithë pjesëmarrësit, përfshi edhe njerëz të pushtetshëm të interesuar posaçërisht për çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit. Me qëllim identifikimin dhe pyetjen e personave pjesëmarrës në këtë proces të rëndësishëm gjyqësor, prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të vërë në dispozicion të hetimit pamjet filmike të seancës të datës 14 qershor. Me qëllim identifikimin dhe më pas verifikimin e personave që kanë marrë pjesë gjatë shpalljes së vendimit përfundimtar, organi i akuzës ka kërkuar edhe pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë së Gjykatës së Lartë, ambientet e së cilës janë të monitoruara në mënyrë të vazhdueshme. Por një gjë e tillë teknikisht nuk ka qenë e mundur. Sipas burimeve, mësohet se përgjigjja e Gjykatës së Lartë ka qenë negative, pasi asnjë prej pamjeve filmike nuk ka qenë e ruajtur në momentin kur prokuroria kërkoi administrimin e tyre. Në një shkresë zyrtare, dërguar Krimeve të Rënda, Gjykata e Lartë informon se serveri i kamerave të sigurisë dhe sallave të gjyqit teknikisht ka mundësi të ruajë filmimet e kryera për vetëm 15 ditë. Pas dy javësh, gjithçka e regjistruar nga këto kamera fshihet automatikisht dhe rikthimi i këtyre të dhënave është teknikisht i pamundur. Pas kësaj përgjigjeje, prokuroria ka mundur të mësojë emrat e disa prej personave që kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit, por ende nuk dihet nëse ka marrë ose jo deklarimet e tyre. Të dhënat e mbledhura gjatë hetimeve të rastit tragjik që vijon të mbetet ende i pazbardhur, tregojnë se për këtë çështje ka pasur interesim të vazhdueshëm edhe nga njerëz të veshur me pushtet. Kur kanë kaluar rreth dy muaj e gjysmë nga vrasja tragjike e gjyqtarit Skerdilajd Konomit, kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur, pavarësisht punës intensive të policisë dhe prokurorisë. Po ashtu, ende e pazgjidhur mbetet çështja e pronësisë dhe hipotekimi i saj në emër të trashëgimtarëve të familjes Shallvari, ku përfshihet edhe familja Konomi, e cila do të përfitonte një pjesë të njohur me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë. Vetëm pak ditë më parë, familja Konomi nëpërmjet një letre të hapur informoi opinionin publik se Zyra e Regjistrimit të Pasurive po zvarrit hipotekimin e pronës. Gjithashtu familjarët e gjyqtarit thanë se nuk ishin informuar rreth hetimeve për zbardhjen e ngjarjes ku humbi jetën gjyqtari Skerdilajd Konomi. Menjëherë pas letrës së hapur reagoi hipoteka e Durrësit, e cila tha se çështja ka ende probleme dhe si e tillë ajo nuk mund të hipotekohet. Një nga arsyet përse nuk mund të kryhet regjistrimi i pronës është edhe ankimi që ka bërë Avokati i Shtetit në Gjykatën e Lartë, ku kërkon rishikimin e vendimit. Po ashtu, Gjykata e shkallës së Parë në Tiranë ka marrë dy vendime për sigurimin e padisë, çka do të thotë se një pjesë e pronës së trashëgimtarëve të familjes Shallvari nuk mund të tjetërsohet pa u zgjidhur çështja në rrugë gjyqësore.