Vrasja e trefishtë në Itali, autori fshihej në Kamëz
Ardian Nurçellari ishte dënuar me 20 vjet burg nga gjykatat italiane, për një vrasje të trefishtë, të maskuar si aksident. U arrestua në një lokal te Kthesa e Kamzës
Tiranë Prej 10 vitesh fshihej në Shqipëri, ndërsa drejtësia italiane e kërkonte për një vrasje të trefishtë, kryer nëpërmjet simulimit të një aksidenti rrugor. Strukturat e hetimit të policisë së Tiranës arrestuan dje të shumëkërkuarin për vrasje me dashje, Ardian Nurçellari (Ostrovica) 45 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë. Kapja e tij u realizua mesditën e djeshme në afërsi të Mbikalimit të Kamzës, në ambientet e një lokali në Tiranë. 45-vjeçari dyshohet se në vitin 2000 ka kryer një vrasje të trefishtë në qytetin Luças së Italisë. Ndërkohë, në ngarkim të tij Gjykata e Luças, Itali, me vendim të datës 18 janar 2001 e ka dënuar në mungesë me 20 vjet burgim për konsumim të veprave penale të vrasjes me dashje dhe largim nga vendi i aksidentit. Sipas referimit të dosjes hetimore italiane, 45-vjeçari shqiptar ishte në konflikt me tre vëllezër nga Lezha për mosmarrëveshje në lidhje me trafikimin e dy prostitutave ukrainase. Sipas vendimit gjyqësor italian, rezulton se Ardiand Nurçellari ka hedhur në një kanal automjetin e “armiqve” të tij, ndërsa më parë ata kishin shtënë ndaj makinës së tij me armë. Hetimet e prokurorisë italiane nxorën në pah faktin se Nurçellari ka aksidentuar qëllimisht automjetin tjetër dhe se prej disa muajsh mes palëve të ndodhura në aksident kishte patur shumë mosmarrëveshje, madje dhe sherre në vende publike, si pasojë e garës për dominimin e tregut të prostitucionit. Nga aksidenti i shkaktuar prej Nurçellarit humbën jetën dy shtetas shqiptarë dhe një shtetase e huaj. Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, por hetimet e policisë italiane zbuluan se 45-vjeçari kishte simuluar aksidentin e qëllimshëm, me të cilin kishte realizuar vrasjen e trefishtë. H.Hasani