E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi, Berisha dhe ndërkombëtarët

Ilir Yzeiri

Procesi i zgjedhjes së presidentit ka hyrë në një rrugë aspak dinjitoze dhe palët në proces po përpiqen që secila më shumë e secila më keq të përfitojë edhe nga kjo aferë, duke dëmtuar kështu atmosferën demokratikë në vend. Komentatorë të ndryshëm janë marrë këto ditë me lëvizjet e Metës, me tërheqjen e Berishës dhe me taktikat e Ramës. Personalisht kam qenë dhe vijoj të jem kritik me lojën e Ramës në këtë proces dhe nuk i shtoj asnjë presje mendimit se roli i Metës në zgjedhjen e presidentit të Republikës është i dyshimtë, se ai është përfshirë në këtë pazar për të larë imazhin e tij të dëmtuar keq dhe për të kënaqur ambiciet e klaneve të caktuara në PD. Mirëpo të gjitha këto janë llogari që duhet ti bëjnë vetë partitët politike dhe nesër kur të vijë dita për të kërkuar vota nga elektorati i tyre, të kenë se çfarë të premtojnë. Po le ta shohim këtë proces me në një anë tjetër.

Ndërkombëtarët dhe këtu kam parasysh jo vetëm trojkën e ambasadorëve aktivë në Tiranë, por edhe Brukselin e sidomos zotin Fyle, pra të gjithë këta po kërkojnë që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë konsensual. Natyrisht njeriu që duhet të japë konsensusin është Berisha. Edi Rama kohë më parë nisi një aksion të gjerë dhe ftoi në takim gjithë partitë politike për të gjetur konsensusin për zgjedhjen e presidentit. Berisha pasi hoqi dorë nga kandidatura politike ka nxjerrë emrin e Xhezair  Zaganorit dhe po i kërkon Ramës konsensus. Ndërkombëtarët nuk janë shumë të qartë në deklarata dhe u japin të drejtë të gjithëve. Po çfarë është konsensusi?

Konsensus është një fjalë latine që do të thotë marrëveshje, në kuptimin ndjenjë e përgjithshme. Në gjuhën frënge kjo fjalë është leksikalizuar në shekullin XIX, gjithmonë në kuptimin marrëveshje e gjerë. Që të kemi një marrëveshje të gjerë për  të zgjedhur një president do të duhej që konsultimet për këtë garë ti kishte nisur mazhoranca dhe Berisha vetë duhet të ishte bërë nismëtari i tryezave të partive. Po të vini re me kujdes, aktualisht shumë qeveri europiane për shkak të krizës së rëndë janë të shtrënguara të marrin masa jopopullore dhe për këtë thërrasin menjëherë opozitën në takim dhe i kërkojnë edhe asaj konsensusin, pra i kërkojnë fjalën në mënyrë që vendimi të jetë në bazë të një marrëveshjeje sa më të gjerë.

Kështu ndodh në Gjermani dhe kështu ndodhi në Itali që për shkak të krizës së thellë ku po zhytej vendi, partitë politike kundërshtare u tërhoqën dhe krijuan një qeveri teknike me konsensus të gjerë. Konsensusi ose marrëveshja e gjerë është thelbi i demokracisë së mbështetur në frymën judo-kristiane dhe ajo vjen si rezultat i shpërbërjes së shtetit që mbështetej në të drejta të trashëguara dhe autokratike. Kjo demokraci mbështetet në marrëveshjen e gjerë të qytetarëve, në konsensusin e tyre qoftë kur vota delegohet, qoftë kur ajo është e drejtpërdrejtë.  Zgjedhja e presidentit me 71 vota është kushtetueshmërisht e ligjshme, por ndryshimet kushtetuese kanë parashikuar një proces tjetër dhe jo atë me 71 vota. Kushtetuta e ndryshuar parashikon tri raunde me konsensus dhe vetëm atëherë kur ai nuk arrihet kalohet në votimin me 70+1. Ndërkombëtarët po këmbëngulin që palët të gjejnë konsensusin, pra që të kemi një marrëveshje të gjerë.

Berisha ka nxjerrë një emër dhe po i kërkon opozitës që ta miratojë atë, pra të japë konsensusin. Opozita ka shumë arsye ta refuzojë këtë kandidaturë dhe deri këtu konkluzionet e saj se që të arrijmë te emri duhet më parë të bëjmë një marrëveshje të gjerë, janë brenda kuptimit evropian që ka fjala konsensus. Ndërsa gjetja e emrit nga PD nuk është konsensuale sepse ajo e vë opozitën përballë faktit të kryer. Po të shtojmë këtu edhe përvojën e dyshimtë të PD-së me emrat e përzgjedhur për drejtimin e Televizionit publik apo të KKRTSH-së do të shohin se drejtuesit e këtyre institucioneve jo vetëm që nuk kanë asnjë konsensus me publikun e gjerë, por i kanë shndërruar institucionet e tyre në istikame të Berishës.

Ndaj opozita ka të drejtë të dyshojë. Berisha dhe tellallët e tij thonë se Zaganjori ka një mbështetje të madhe publike. Në materialet teorike për demokracinë thuhet se opinioni kolektiv ose ai publik është fryt i përpunimit mendor ose i propagandës. Studimet për efektet e grupeve apo të turmave tregojnë për një konsensus emocionale që shkon deri në histeri kolektive. Ndaj në themel të konsensusit është marrëveshja e gjerë dhe jo opinioni publik. Nëse Berisha i kërkon sot opozitës që të nxjerrë edhe ajo kandidatin e saj, ai më parë duhet të heqë dorë nga Zaganjori apo zaganjorët e radhës dhe ti kërkojë opozitës që të propozojë ajo dy apo tre persona dhe më pas mazhoranca të japë konsensusin për njërin prej tyre. Kështu mund të arrihet një marrëveshje e gjerë që kënaq një shumicë të caktuar shqiptarësh dhe frenon ambiciet arriviste të njeriut më antikonsensual në Ballkan me emrin Berisha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›