E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesat informale në korridoret e spitaleve

Eglantina Bardhi

Pak kush mund të ketë mbetur pa u përplasur në dyert e qendrave shëndetësore apo të spitaleve publike dhe të mos ketë renditur një listë të gjatë me mangësi. Shprehja e cila dëgjohet rëndom këtu mos ardhtë as hasmi nuk ka dalë kot sepse njerëzit i kanë vuajtur në kurriz.

Të gjithë jemi dëshmitarë të sorollatjeve që bëjnë pacientët për të marrë ta ashtuquajturin shërbim shëndetësor. Thuhet se shërbimi shëndetësor për pacientët e shtruar në spitale publike është falas por le të dalë dikush, që është shtruar në spital dhe të thotë se nuk ka paguar para. Kuptohet se kjo jo në mënyrë zyrtare pasi paratë jepen edhe në mënyrë informate. Në të kundërt, zor se do të merrni ndonjë shërbim, qoftë edhe më minimalin.

Pagesat në spitale fillojnë që te roja i cili nuk të lë të hysh brenda, më pas pastruesja pasi kjo të pastron dhomën dhe korridoret edhe pse këto të fundit ngjajnë gjithmonë e më zhul dhe më pas përplasesh me infermieren e cila bën injeksionet dhe si përfundim është dora më e rëndë, kirurgu apo mjeku specialist që ndjek të sëmurin.

Madje, pagesat informale është shumë lehtë ti marrësh vesh sepse ti thonë vetë pacientët të cilët kanë paguar përpara, pse jo edhe sekserët që ndodhen vërdallë në spitale dhe të orientojnë tek i ashtuquajturi mjeku më i mirë. Bilanci i shërbimeve falas pas gjithë këtyre pagesave, kuptohet se sa iu rëndon xhepave të shqiptarëve.

Fajtorët në këtë situatë janë pacientët të cilët i kanë mësuar vetë bluzat e bardha të marrin para dhe kjo jo nga dëshira por nga halli. Nga ana tjetër janë vetë këto bluza të bardha të cilët pranojë ose ka edhe raste që i kërkojnë lekët pasi në të kundërt pacienti nuk i ka mirë punët. Në fakt bluzat e bardha shprehen në vazhdimësi se një pagë nga qeveria, e cila është ordinere dhe nuk të mjafton për të përballuar as kushtet më minimale të jetesës, të shtyn drejt ryshfetit.

Por, nuk e dimë nëse për këtë kanë të drejtë dhe a mund të jetë vetëm një justifikim. Pa dashur të paragjykojmë asnjërën palë apo aq më tepër të bëjmë fajtor apo të korruptuar të tjerët, e vetmja pyetje që lind në raste të tilla është: Çfarë po bëjnë strukturat shtetërore për ta evituar sadopak këtë fenomen i cili mbizotëron prej 20 vitesh në vendin tonë dhe u rëndon shqiptarëve fatkeqë që kanë nevojë për shërbimin shëndetësor?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›