E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur shteti e ka seriozisht

Nga Aleksandër Ndoja

I ndodhur në një nnga kafetë më të frekuentuara të qytetit, së bashku me një të afërmin tim që vinte nga Kanadaja, vërej se katër policë të FNSH-së ishin ulur në një prej tavolinave përballë. Në tavolinë kishin nga një birrë shumë të vogël për fizikun e tyre, por shumë të madhe për pagesën që u bëhet, sidomos kur ata lëvizin jashtë territorit ku janë rezidentë, në Shkodër. Të shpenguar ndiqnin një ndeshje ndërkombëtare futbolli, ndërkohë dhjetëra klientë në punën e tyre konsumonin porositë e tyre të pa shqetësuar, madje në një farë mase të gëzuar dhe të sigurtë.

Vetëm bashkëbiseduesi im, rezident prej shumë vitesh në perëndim, dhjetë prej të cilave në Kanada, tashmë qytetar i këtij vendi, i habitur më thotë: – Si është e mundur që policët të futen me uniformë dhe të armatosur në një ambient publik, me shumë qytetarë të pranishëm. Ende pa përfunduar ligjëratën e tij, edhe mua mu kujtua se gjatë 10 ditëve qëndrimi si vizitor në atë vend përtej Atlantikut, nuk kisha parë asnjë polic jo vetëm në ambiente publike, por as edhe në rrugë. Kujtoja vetëm një rast në orët e vona të natës teksa ktheheshim nga Torontoja në Okville, poshtë një mbikalimi na ndaloi një patrullë. Njëri prej policëve pyeti shoferin nëse kishte konsumuar alkool. Shoferi shqiptar e mohoi me të drejtë një fakt të tillë, dhe polici pa asnjë diskutim të mëtejshëm na kërkoi ndjesë për ndalimin që na bëri, dhe më pas na uroi udhëtim të mbarë.

Po si ti përgjigjesha bashkëbiseduesit shqiptaro-kanadez atë natë në lokal, ku pak metra tej nesh ndodheshin policët. Si për ti rënë më shkurt, edhe se nuk njihja asnjërin prej tyre i thashë se është krejt normale që në shenjë mirënjohje ti paguaja ato katër birra që po konsumonin. Duke vijuar bisedën i them: Si do të ndiheshe ti nëse do vije një muaj më parë në këtë apo tjetër lokal, dhe ende pa e marrë porosinë, në derë të shfaqet një rrugaç me kallashnikov në dorë, dhe të ngrinte në këmbë apo të detyronte të ikje i lemerisur edhe se je i shoqëruar me bashkëshorte apo me fëmijë. Si do të ndiheshe ti, nëse do të ishe këtu një muaj më parë, kur te tavolina ngjitur pijanecë të trimëruar nga mungesa e shtetit të nxirrnin live pistoletat duke ia drejtuar njëri-tjetrit. Si do ndiheshe ti kur të përfundoje në errësirë, pasi te pallati përballë në mes të qytetit, hajdutët vidhnin kabllot elektrikë për ti çuar në shkritoret e bakrit. Si do ndiheshe nëse deri një muaj më parë, do të dilje në shëtitoret e qytetit dhe përballë teje, në mes të qytetit të vinin makina me shpejtësi skëterrë, ku vajzat e gjimnazit të bëjnë të terrorizuara rrugën nga banesa në shkollë. Si do të ndihej një vizitor kushdo, nëse do vinte një muaj më parë dhe të shikonte në vjedhje live në mes të qytetit, ku lokalet thyheshin me grafik çdo natë, ku mizeria ishte prezente dhe dëshira për të jetuar në këtë qyteti ishte vënë në diskutim. Nuk u desh të vijoja më tej dhe bashkëbiseduesi im u bind plotësisht, ndërsa policët vijonin të qetë të shikonin ndeshjen sportive me nga një birrë 330 gramëshe përpara.

Po nëse përmirësimit të situatës i referohemi harkut kohor të një muaj, komisari i qytetit z. Alfred Nomani thotë se kjo do të zgjasë. Në vijim të takimeve informale me faktorë publikë dhe intelektuale të qytetit, z. Nomani të vë përpara dhjetëra shkrime të shtypit por edhe video me hajdutë, dhe element të tjerë terrori. Ai thotë se nuk u desh më shumë se 10 ditë që situata të merrte kthesën e pa pritur. Specialisti i mirënjohur në luftën kundër krimit konfirmon se ishte e pa tolerueshme që një komunitet prej 25 mijë banorësh të mbahej në terror nga shtatë deri në dhjetë persona. Z. Alfred Nomani thotë se së bashku shefin e krimeve dhe të rendit është në gjendje të shkatërrojë mentalitetin e disa personave, që për të jetuar në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve, krijojnë situata të frikshme në qytet. Në një kohë rekord ranë në pranga individë të mirëskeduar si hajdutë, grabitës të dhunshëm dhe aktorë të skenave terrorizuese me armë rrugëve të qytetit. Z. Nomani thotë se janë në survejim të plotë edhe ata që janë potenciale të krimit, ku herë pas here u bëet refresh me qëllim parandalimin e veprimeve që cënojnë rënde rendin publik dhe jetën e qytetarëve.

Ja pra sa e thjeshtë paska qenë dhënia fund e situatës kriminale që kishte marrë peng një qytet të tërë dhe më gjerë. Alarmi dhënë nga faktorë të ndryshëm dhe sidomos gazetarët vendorë, bënë që Ministria e Rendit Publik të marrë masa serioze, pra të delegojë në krye të komisariatit njeriun duhur, specialistin me përvojë dhe të depolitizuar. Ishte ky komisar i cili për dy vite me rradhë në drejtim të komisariatit të Bulqizës, na kishte lënë pa punë ne gazetarëve që mbulonim zonën, pasi gjatë kësaj kohe nuk u regjistrua asnjë vrasje, e mbi të gjitha gjatë gjithë kësaj kohe ishte ndërprerë totalisht zinxhiri vrastar i minierave të kromit.

Kjo është një arsye e plotë që qytetarët janë më të qetë teksa ndajnë kafenë me policët, po ashtu falenderojnë komisarin që qëndron në zyrë dhe në krye të aksioneve që rikthyen besimin te qytetarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›