E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsensusi i pakontestueshëm i komisionerëve zgjedhorë të 28 qershorit

Po bëhet gati një muaj që janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare në vendin tonë dhe për fat të keq kryetari i PS-së vazhdon të deklarojë në media mosnjohje të tyre, duke kërkuar transparencë të kutive të votimit në disa rrethe, midis tyre edhe Tiranën; duke përmendur dhe shumë parregullsi gjatë procesit të votimit, sipas tij. Sipas meje, të kontestosh zgjedhjet, kur komisionerët, si pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor, japin vlerësime, duket diçka krejt absurde. Unë kam qenë komisionere, ditën e votimit, në Njësinë Bashkiake 1, në Tiranë. Absurditetin dua ta bëj bindës me shtjellimin e mëposhtëm: Në ditën e votimeve, pati një bashkëpunim dhe mirëkuptim midis anëtarëve të komisionit në të dy qendrat që ndodheshin në të njëjtën ndërtese. Çdo gjë shkoi mjaft mirë. Pati   vëzhgues të huaj, të cilët u larguan shumë të kënaqur. Anëtarët e komisionit janë përfaqësues të partive, e kështu ato do të përcillnin tek partitë përkatëse problemet, nëse do të kishte të tilla. Fakti që kutitë e votimit përcillen në Komisionet Zonale, të firmosura nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe në librin e procesverbaleve nuk ka nderprerje të procesit për ndonjë parregullsi, do të thotë se procesi i votimit është kryer në rregull. Kësisoj pretendimet për parregullsi gjatë procesit të votimit nuk qendrojnë. 

Duhet theksuar edhe një fakt: -Në bisedat e lira anëtarët -që kishin qenë të tillë edhe në zgjedhje të tjera, po në këto qendra - shpreheshin se nuk pritet të votojnë më shumë se 40% e votuesve, pasi nuk ka ndodhur në votime të tjera më parë.

Por ndodhi ndryshe. Në ato qendra votuan mbi 60 % e votuesve. Kjo shifër tregon një mentalitetit të ri të popullit tonë për zgjedhjet, por edhe një punë të qeverisë mbi pajisjen e votuesve me karta identiteti. Edhe gjatë procesit të numërimit çdo gjë shkoi mirë. Fakti që çdo votë skanohej dhe vëzhgohej, përveçse numëruesit, edhe nga vëzhguesit e partive  me shumë kujdes, do të thotë se procesverbalet e numërimit kanë qenë në rregull. Binte ne sy një fenomen gjatë numërimit, që votat e partive të vogla ishin shumë-shumë të pakëta, në segmentin (0;9 %), prandaj me bindje mund të them, se pretendimet e partive të vogla për vjedhje votash nuk qëndrojnë. Nuk mund të dal garant se nuk ka patur ndonjë problem në ndonjë qendër në gjithë vendin, por nuk duhet të harrojmë se është proces zgjedhor. Po bëj një krahasim vulgar, por të nevojshëm: -Ndodh që bëjmë një festë të zgjeruar familjare dhe nuk shkon siç e presim, e jo më një proces zgjedhor. Kësisoj, pavarësisht ndonjë incidenti të ndodhur aty-këtu, gjersa e përgjithshmja është mjaft mirë dhe kjo cilësohet e tillë dhe nga vetë komisioneret, nuk duhej vazhduar zhurma për mosnjohje të zgjedhjeve nga ana e socialistëve. Nëse tek kryetari i PS dhe i atyre të partive të vogla janë përcjellë nga komisionerët informacione joreale, thjesht për të dalë nga situata momentale, atëherë kryetarët duhet të rishikojnë raportet e tyre me anëtarët e partisë, madje edhe pozicionin e tyre. Them kështu, pasi secili duhet t’i bëjë pyetje vetes: “Nëse paska parregullsi të theksuara, deri tek mosnjohja e zgjedhjeve, pse procesverbalet janë firmosur nga përfaqësuesit e partive përkatëse”?

Politikanët tanë duhet të mësohen të pranojnë humbjen dhe pse ajo është e hidhur. Z.Rama, nëse mendon vërtet për sovranin - siç ai shprehet rëndom - duhet të dalë e të përshëndesë fituesit, duke ndikuar në shtimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në Evropë, pasi e meriton dhe këtë kërkon populli. Në të kundërt, z.Rama këmbëngul për interesa vetjake dhe jo për sovranin, siç ai pretendon. Periudha e zgjedhjeve ka qenë e lodhshme, jo vetëm për politikanët, por edhe për popullin. Ç’faj ka populli të vazhdojë të lodhet duke dëgjuar akoma pretendimet e politikanëve për pushtet, kur ai pret të krijohet një qeverie e re. Duke vazhduar pretendime të tilla, këta politikanë nuk bëjnë tjetër veçse humbasin besimin edhe tek mbështetësit e tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›