E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mënyra habitore në politikë

Të dish se ku po shkon dhe të dish se si të shkosh atje janë dy procese mendore krejtësisht të ndara, që në të shumtën e rasteve nuk gjenden në të njëjtin person. Mendimtarët e politikës ndahen në dy kategori: utopistë, që kanë mendjen fyell, dhe pragmatistët që e kanë një këmbë në gjol. Puna e gazetarit në media është t’i cilësojë dhe të dëshmojë kundër apo në favor të këtyre dy kategorive. 

Mirëpo rrugëtimi i zakonshëm i gazetarit të televizionit ishte të merrte lëndë të parë nga kolegu i shtypit të shkruar, ose nga gazetari i terrenin apo përpunuesi i ATSH-së: sot ajo ka ndryshuar. Sigurisht, përderisa Shqipëria duke qenë midis gjërave të jashtëzakonshme në disa fusha edhe në gazetari është ndryshuar ose balancuar  rruga e kërkimi të lajmit.

Tani gazetarëve të politikës ose vëzhguesve të pavarur u mjafton të shtypin një nga butonat e pultit dhe të hapin sytë në intervistat e emisioneve televizive të darkës. Në këtë bollëk emisionesh televizive, pothuajse të monopolizuara nga politika, në të shumtën e rasteve dëgjojmë më shumë propagandë partie sesa mendime të lira individuale. Parmbrëmë për shembull në emisionin e TvKlan “Opinion” u thye disi rregulli. E theu një politikan letrar. Ky quhet Ben Blushi, i cili doli nga binarët e trenit Orient Express të Edi Ramës. Më habiti, të them të drejtën, në disa pika. 

Habia e parë: sepse tha një gjë me mend kur deklaroi se Partia Socialiste është një parti parlamentare dhe duke qenë e tillë ajo nuk duhet dhe nuk mund të dalë nga korniza kuvendore, pra të dalë në ilegalitet institucional. Ky mendim është i përgjegjshëm tek një politikë e re e papërgjegjshme. Edhe pse në të shumtën e rasteve të mbledhjeve të kryesisë së PS-së, përjashto KPD-ne e famshme, thuhet fjala nistore: jam dakord, “Po, jam dakord me kryetarin, Jam dakord siç e tha parafolësi, Jam dakord kështu e ashtu”, Ben Blushi parmbrëmë në “Opinion”, me koherencë tha se ishte dakord për ndryshimin e Kushtetutës. Ishte dakord që të ndryshonte Kodin Zgjedhor, ishte dakord që të shkonim në zgjedhje në një koalicion pa LSI. Jam dakord për shumë gjëra. Tani, në koherencë me vetveten dhe publikun militant socialist thotë se jam dakord të zbatohet statuti i PS. Ky dakordimi i fundit, sikur i habiti të gjithë në PS. I dobëti dyshon përpara vendimit, i forti pas tij. 

Habia e dytë: sepse tha një gjë me mend, kur deklaroi se PS-ja me deklaratat e saj mbas 28 qershorit, po i largohet realitetit të vendit dhe kjo përkthehet për ne panafakët se jashtë realitetit je jekejek, jashtë të vërtetës. Është e papërgjegjshme dhe dogmatike të dalësh e të flasësh për vendimet e KRRTRSH, kur akoma ai (Rama) nuk ka njohur vendimin e sovranit, që i ka dhënë humbjen. Ben Blushi thotë se nuk kemi fituar. Në këtë Shqipërinë tonë, sa herë ka zgjedhje, ka të fituar dhe të humbur. Këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët. Pra me pak fjalë: nëse nuk ka fituar atëherë çfarë nuk ka humbur? Është një pyetje retorike mos i lodhni trutë për të gjetur përgjigje. 

Habia e tretë: sepse tha një gjë me mend kur deklaroi “punizmin” e disa njerëzve të Tiranës, të cilët shkojnë në Shkodër dhe Lushnje për të delegjitimuar kryetarët vendorë të PS, në vend që t’i mbrojnë si pasuri e mendimit ndryshe. Sipas gjykimit tim Ben Blushi donte të thoshte se është e papërgjegjshme për kryetarin e PS  të dalë dalipbebçe përpara kamerave - se vetëm kjo i ka ngelur për të bërë politikë të re - e të flasë për KRRTRSH-në dhe për fabrikat e çimentos, kur ai vetë, bashkë me vëllezërit e tij siamezë në ndërtim, janë një nga përdoruesit e parë të kësaj lënde në bashkinë e Tiranës. 

Habia e pestë vjen sepse tha një gjë me mend kur deklaroi se Kryetari Rama gaboi taktikisht, teksa nuk pranoi një debat publik me kundërshtarin. Kjo zgjedhje tregoi njëkohësisht dy gjëra të rëndësishme: në radhë të parë delirin e madhështisë përpara zgjedhjeve të Ramës, dhe në radhë të dyte, drojën se mos debati shkonte në favor të kryeministrit Berisha. Ai nuk mori pjesë në një ballafaqim face to face, për kalkulim të riskut politik të pashmangshëm për një lider dhe si rrjedhojë ai riskon më shumë duke mos e pranuar. Sfiduesi i pranon gjithmonë sfidat. Rama nuk hyri në ring sepse të hysh në atë shesh katërkëndësh do të thotë: në betejë kujtohu për paraardhësit dhe pasardhësit tuaj. 

Nuk e di nëse këshilltarët e tij elektoralë e dinin këtë aksiomë universale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›