Konsorciumi Shah Deniz zyrtarizon vendimin: Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), projekti fitues për gazsjellësin europian të eksportit
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje nga Konsorciumi Shah Deniz (SDC) në Baku, Azerbajxhan, SDC konfirmoi se Gazsjellësi Trans Adriatik është përzgjedhur për të transportuar gazin e Shah Deniz II në Evropë.
Kjetil Tungland, Drejtori i Menaxhues i Projektit në TAP deklaroi: “Jam shumë i lumtur se përzgjedhja për të transportuar gazin e Shah Deniz II në Evropë ka qenë në favor të gazsjellësit TAP. Ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm për hapjen e Korridorit Jugor të Gazit dhe, ndërsa ne shohim përpara, Korridori Jugor i Gazit do të luajë një rol të madh në sigurinë e energjisë për Evropën dhe në sigurimin e diversifikimit të furnizimit me gaz për tregjet e Evropës perëndimore dhe juglindore”.
“Unë jam shumë i ngazëllyer me rezultatet që ka arritur TAP dhe jam shumë krenar që kam qenë pjesë e ekipit gjatë tre viteve të fundit. Gjatë muajve të ardhshëm ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me SDC për t’u siguruar që ata janë në gjendje të marrin një vendim investimi përfundimtar të suksesshëm në fund të këtij viti. Në përfundim, duke shfrytëzuar këtë mundësi unë dua ta mbyll duke falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur TAP gjatë këtyre viteve të fundit duke bërë të mundur këtë projekt historik dhe gjeo-strategjik dhe duke përgëzuar Konsorciumin e Shah Deniz që ndërmori një proces përzgjedhjeje të drejtë dhe transparent”. Përzgjedhja e TAP nga SDC konfirmon se TAP është projekti i gazsjellësit që ofron më shumë avantazhe ekonomike dhe teknike për transportin e gazit të Shah Deniz në Evropë. Mbështetja e mëparshme dhe e vazhdueshme e Komisionit Evropian dhe e qeverive të të vendeve të ndryshme përforcojnë rëndësinë e TAP lidhur me axhendën e energjisë evropiane.
Mbi Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP)
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në tregjet më tërheqëse të Evropës. Me një gjatësi përafërsisht prej 870 km, TAP do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit greko-turk në Kipi, do të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe Detin Adriatik duke dalë përsëri në tokë në jug të Italisë. Korridori i TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj. Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Evropë, siguron shumë mundësi të mëtejshme për transportimin e gazit natyror nga rajoni Kaspik për në disa nga tregjet më të mëdha evropiane si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria. Duke qenë i projektuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 mmk në vit, TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit, i cili do të përforcojë sigurinë e energjisë së Evropës duke siguruar një burim të ri gazi. Aksionerët e TAP-it janë Axpo e Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON i Gjermanisë (15%). Anëtarët e Konsorciumit të Shah Deniz, BP, SOCAR dhe Total, kanë opsionin t’i bashkohen TAP. Nëse ky opsion zbatohet plotësisht, ai u siguron atyre një pronësi prej 50 % në TAP. Në vijim të përzgjedhjes së TAP si korridori i transportit drejt Evropës, pritet që ky opsion të zbatohet. Aktualisht BP, SOCAR dhe Total japin kontributin e tyre në financimin e zhvillimit të TAP.