Thaçi përgëzon Berishën: Do respektoheni si lider i rëndësishëm historik i Shqipërisë

Kryeministri kosovar mesazh kryeministrit në detyrë të Shqipërisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në një mesazh drejtuar kryeministrit në detyrë Sali Berisha, thekson se Shqipëria me sukses të plotë kaloi testin e demokracisë, duke i hapur vetes rrugën e sigurt drejt Bashkimit Evropian. Sipas Radio Europa e Lirë, në telegramin që Thaçi i dërgon zotit Berisha thuhet se me punën dhe qëndrimin e tij do të respektohet gjithmonë si lider i rëndësishëm historik i Shqipërisë demokratike, i tranzicionit dhe sfidave 23 vjeçare të shtetit shqiptar. Kreu i qeverisë së Prishtinës, shkruan gjithashtu se Berisha ka dhënë kontribut të pamohueshëm për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe i ka “mbështetur vazhdimisht aspiratat e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe afirmim të të drejtave të shqiptarëve në rajon”.
Në fund të mesazhit, Thaçi i drejtohet kryeministrit Berisha duke thënë se “ju mbeteni përgjithmonë miku im dhe burrështetas i nderuar i popullit të Kosovës”.