Rama shpërfill koalicionet politike: E kam koalicionin me qytetarët
Kryetari i PS, Edi Rama, deklaroi dje se koalicioni i drejtuar nga PS është koalicioni me qytetarët, duke lënë kështu në hije peshën e partive politike, aleate ose jo me Edi Ramën e PS. Një ditë pas mitingut të suksesshëm të drejtuar nga PS dhe aleatët e saj në përkujtim të viktimave të Gërdecit, Rama shprehu mirënjohjen për qytetarët pjesëmarrës në miting, si dhe falënderoi mediet dhe policinë për pasqyrimin dhe mbarëvajtjen e mitingut. Kryetari socialist foli për akuzat që krerë të mazhorancës kanë hedhur kohët e fundit ndaj familjes së tij dhe shprehu gatishmërinë për t’u përballur me Sali Berishën në një debat televiziv, ndërsa ka refuzuar të flasë për listat e kandidatëve për deputetë të PS. I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të përballej me programin e tij përballë kundërshtarit të djathtë në një debat televiziv, Rama është shprehur se për të kjo s’ka qenë asnjëherë problem.
Kreu socialist e ka cilësuar protestën dhe pjesëmarrjen masive si një manifestim qytetar. “Ishte një manifestim qytetar. Një manifestim i ndjenjave të dashurisë dhe solidaritetit me të gjithë ata që dje kishin nevojë për dashuri dhe solidaritet më shumë se të tjerët. Ishte shprehje e domosdoshmërisë për të mos harruar plagët e së shkuarës, të cilat mbeten sot e gjithë ditën të hapura, sepse vetëm kështu mund t’i shërojmë. Ishte shprehje e vetëdijes se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, i cili pa asnjë dyshim fillon brenda nesh, fillon mes nesh. Fillon nga përkrahja e njëri-tjetrit në një vend të cilit Zoti i ka falur gjithçka popullit shqiptar, për të jetuar në paqe e mirëqenie, në një vend ku pasuritë dhe potencialet nuk mungojnë për të bërë të mundur që të rejat dhe të rinjtë të mos jenë rrugëve të papunësisë apo rrugëve të arratisë, për të gjetur një punë matanë kufijve për të mbajtur familjet e tyre.
Dua të falënderoj edhe Policinë e Shtetit, drejtuesit e së cilës dje dhanë më të mirën për të garantuar Rrugën e Flamurit, pa asnjë pengesë dhe njëkohësisht për të siguruar të gjithë hapësirën e nevojshme që manifestimi të zhvillohej normalisht”, - tha Rama.
Ai tha dje se për herë të parë në historinë e lirisë dhe të këtij tranzicioni, një forcë politike e shkruan programin e saj duke u nisur nga shqetësimet dhe sugjerimet e njerëzve dhe harton një program, jo për të marrë votat, por për të qeverisur me votat e marra. Rama u shpreh se PS, në qeverisjen e ardhshme do t’i japë jetë një politike të re, ashtu sikundër i ka dhënë jetë politikës së re në opozitë.
Koalicioni
Duke komentuar mbështetjen e fortë që qytetarët e Tiranës dhe rretheve të tjera i dhanë PS në manifestimin e përkujtimit të viktimave të Gërdecit, Rama u shpreh se e rëndësishme është aleanca dhe koalicioni me qytetarët duke shpërfillur koalicionin politik. “Unë e kam thënë, të gjithë ne e kemi thënë dhe rithënë, me këmbëngulje në vazhdimësi, prej një kohe relativisht të gjatë përtej kufijve të vjetër të partive, përtej flamujve dhe emblemave të partive, përtej hendeqeve që partitë kanë hapur midis shqiptarëve e shqiptareve, duke yshtur konfrontim dhe nxitur grindjet dhe sherret deri në fshatin më të largët, ku i kanë kthyer njerëzit në tifozë të verbër dhe i kanë përçarë për t’i sunduar. Bashkimi ynë i ri synon pikërisht këtë që ju nënvizuat edhe nga manifestimi ynë i djeshëm: një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër. Partitë duhet të jenë përditë e më shumë instrument në duart e njerëzve, qofshin ose jo anëtarë të tyre. Partia Socialiste po bëhet përditë e më shumë një instrument në duart e atyre që duan të marrin pjesë, që duan të shprehin atë që mendojnë dhe të kontribuojnë që ajo që mendojnë të kthehet në një rrugë, në një mundësi për t’u bërë realitet. Në këtë kuptim, unë besoj se ky bashkim i ri që po rritet dita-ditës, do të mishërojë në fushën e betejës zgjedhore një koalicion shumë të madh përtej partive”, - tha Rama. Akuzat e krerëve të mazhorancës ndaj familjes së tij, Rama i ka cilësuar si shprehje e krizës së tyre të ideve e argumenteve, si pjesë e politikës së vjetër të së shkuarës.
Veliaj: Koalicioni qytetar fitoi përballë Berishës e Metës
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, tha dje se manifestimi i së dielës evidentoi qartë faktin se koalicioni qytetar fitoi betejën përballë Berishës dhe Metës. Duke falënderuar pjesëmarrjen në mitingun e së dielës në përkujtim të viktimave të Gërdecit, Veliaj u shpreh në të njëjtën linjë qëndrimi me kryetarin e PS, Edi Rama, sa i përket çështjes së koalicioneve. Ai tha se koalicioni i qytetarëve është koalicioni më i madh përballë koalicioneve politike.
“Së bashku me qytetarët dje fituam dy beteja, betejën kundër qeverisë private të zotit Berisha, por dhe kundër partisë private të zotit Meta. Ajo që treguam dje ishte që bashkimi qytetar është shumë herë më i fortë sesa grupimet private të politikës. Ajo që arritëm të tregonim dje ishte që qytetarët e kanë ndarë mendjen. Një qeveri familjare private që menaxhohet nga zoti Berisha dhe një parti private që menaxhohet nga familja Meta nuk janë të mjaftueshme për të ndalur pasionin që qytetarët kanë për ndryshimin. Ndaj dhe unë them që jemi dyfish të lumtur sot. Bashkimet vullnetare të njerëzve të lirë janë shumë herë më të forta sesa bashkimet private të qeverive familjare apo partive familjare. Po ravijëzohen qartë dy koalicione, një koalicion qytetar që drejtohet nga grupimet kryesore, jo vetëm të opozitës, por dhe të grupeve të interesit, organizata të mirëfillta qytetare si ish-ushtarakët, pensionistët, sindikalistët, minatorët, grupe që kanë pasur probleme të jashtëzakonshme me qeverinë aktuale dhe një koalicion tjetër, ai i kryeministrave dhe ish- kryeministrave. Para 48 orësh pamë një tjetër ish-kryeministër zotin Nano, të cilin e pasuan me radhë zoti Berisha dhe pastaj zoti Meta. Janë tre kryeministra dhe ish-kryeministra që në mënyrë të vazhdueshme sulmojnë opozitën”, - tha Veliaj.
Në përgjigje të qëndrimeve të mazhorancës se çështja Gërdeci po shfrytëzohet politikisht, Veliaj shprehu qëndrimet e veta duke argumentuar se çështja Gërdeci është një çështje politike. “Ajo që shumë skeptikë dhe shumë cinikë kanë thënë këto ditë është se nuk duhet politizuar çështja e Gërdecit. Sot, duhet ta sqarojmë njëherë e mirë: Çështja e Gërdecit është politike! Është politike mënyra se si ndodhi ajo tragjedi, sesi u mbrojtën kriminelët, është politike mënyra se si u caktuan këta ministra, se si opozita e opozitës ka menaxhuar influencën e kësaj tragjedie. Për të gjithë këta cinikë dhe skeptikë duam të sqarojmë që kjo është çështje politike, sepse politika ishte ajo që vendosi t’i vriste këta njerëz. Politika është ajo që vendosi të ndërtonte fabrikën e vdekjes. Politika është ajo që mbron ministra të korruptuar, politika është ajo që bën opozitën e opozitës. Ne e kemi problemin me politikën. Kjo do të mbetet çështje politike, derisa të zgjidhet politikisht, derisa ata politikanë që janë bashkëfajtorë ose ata që po pengojnë drejtësinë dhe opozitën qytetare të marrin përgjigjen e duhur më 28 qershor”, - tha Veliaj.
Kreu i G99 u shpreh gjithashtu se televizioni publik shqiptar nuk pasqyroi asnjë aktivitet të opozitës përveç partisë së Metës.
“Duhet të përgatitemi që këto 100 ditë do të kemi një betejë shumë të fortë me ministrat e zotit Nano, me ministrat e zotit Meta dhe me ministrat e zotit Berisha, me gjithë klanet e tyre familjare. Por unë jam absolutisht i bindur që po të jemi të gjithë bashkë ashtu si ishim dje në protestë kemi një shans fantastik për të ndryshuar njëherë e mirë historinë e këtij vendi. E duam Shqipërinë shumë për ta lënë në duart e Nanos, Metës dhe Berishës”, - tha Veliaj.