E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstitucionalistët mbështesin Presidentin Topi



Konstitucionalistët mbështesin presidentin Topi për përplasjen me maxhorancën për dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Rrëzimi i dekreteve të presidentit në Kuvend është cilësuar si veprim që cenon pavarësinë e Gjyqësorit nga ana e konstitucionalistëve Genti Brahimi dhe Luan Omari, gjatë deklaratave të tyre në tryezën për Gjyqësorin, të zhvilluar nga fondacioni “Qemal Stafa”. Drejtori i Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, Gent Ibrahimi, tha: “Mund të themi se kjo që ndodhi me dekretet e Presidentit të Republikës cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e cilëson si të detyrueshme konsultimin e presidentit me Kuvendin. Gjykimi i Kuvendit është politik, dhe si i tillë, maxhoranca duhet të përgjigjet për vendimet e gabuara”.
Konstitucionalisti i njohur, Luan Omari, deklaroi: “Pavarësia e Gjyqësorit është cenuar nga Kuvendi. Maxhoranca nuk ka bërë kurrë të ditur arsyet e vërteta të rrëzimit të dekreteve të Presidentit të Republikës, por mund të themi se ato arsye që janë shpallur në raportin e maxhorancës, të paraqitur në Komisionin e Ligjeve, janë antikushtetuese. Konsultimi i presupozuar nuk është një detyrim i presidentit. Kjo është një praktikë e ndjekur nga ish-presidenti Meidani, por që nuk është ndjekur në asnjë rast nga presidenti i mëpasshëm Moisiu. Njëlloj si Moisiu bëri edhe presidenti Topi, duke ndjekur po të njëjtën procedurë. Dallohet qartë synimi i maxhorancës për të ndikuar dhe cenuar pavarësinë jo vetëm të Presidentit të Republikës, por edhe të Gjyqësorit në tërësi dhe Gjykatës së Lartë në veçanti. Është skandaloze që gjyqtari i parë që e përfaqësonte Shqipërinë me sukses në Gjykatën e Strasburgut, kthehet këtu dhe gjykohet politikisht nga maxhoranca”.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›