E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli paralajmëron firmat e kromit: “Plotësoni kushtet në miniera”



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kërcënon me heqje të licencave firmat private që shfrytëzojnë minierat. Kreu i këtij dikasteri, Genc Ruli, ka qenë i ashpër dje teksa ka paralajmëruar intensifikimin e kontrolleve, duke fajësuar subjektet private për aksidentet tragjike që kanë ndodhur në galeritë e nëndheshme për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë në punë. Ministri Ruli ka deklaruar se “firmave do t’iu hiqen licencat edhe në rast se konstatohet se kanë punësuar njerëz të paspecializuar, kryesisht gra dhe fëmijë”. Kreu i METE-s bëri të ditur se interesi për të shfrytëzuar minierat është rritur ndjeshëm, për shkak të shtrenjtësimit të mineraleve në bursa. Sipas të dhënave zyrtare, ky dikaster ka dhënë gjatë tre muajve të parë të këtij viti 70 licenca, ose gjysmën e totalit që janë dhënë gjatë vitit të kaluar. Por ndërsa shfrytëzimi i pasurive minerare është bërë me ritme të shpejta, investimet nuk janë realizuar sipas marrëveshjes, duke shkaktuar një bilanc prej dhjetëra të vdekurish në pak kohë. "Për herë të parë, eksporti i kromit për vitin 2007, arriti vlerën rreth 135 milionë euro", - u shpreh ministri Ruli, gjatë takimit me drejtues të firmave private, që punojnë në industrinë e kromit. Sipas ministrit Ruli, gjatë vitit të fundit ka ardhur duke u shtuar numri i subjekteve private që aplikojnë për licenca. Nëse çdo vit janë dhënë mesatarisht 60 licenca, gjatë vitit 2007, u dhanë rreth 140 licenca.
METE, duke parashikuar mjaft kohë më parë këtë situatë, ka vënë në gatishmëri sektorin e licencave në departamentin minerar në AKBN-ë. Gjithashtu, po zbatohen metodat dixhitale të verifikimit të licencave, krahas verifikimit të tyre në terren, ndërsa po punohet për të trajtuar në afat kërkesat e bëra për marrjen e licencave.

Tatimorët sërish në aksion kundër punës së zezë dhe informalitetit

Policia Tatimore e Tiranës ka nisur ditët e fundit përsëri aksionet e saj “blic” kundër ekonomisë informale dhe punësimit në të zezë. Gjatë ditëve të fundit, si pasojë e aksionit, janë vendosur të paktën 52 gjoba me vlerë 4 milionë e 111 mijë lekë për mosregjistrim të 411 punonjësve në Sigurimet Shoqërore si dhe 7 sekuestrime të ndryshme për mosdokumentim malli, gjatë një aksioni të zhvilluar ditët e fundit. Burime nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës bënë të ditur se kontrollet kishin për qëllim verifikimin e punonjësve të padeklaruar në organin tatimor, konfiskim të mallrave pa pullë akcize, sekuestrime për mosdokumentim malli etj. Gjatë këtij aksioni u kontrolluan gjithsej 378 subjekte, 15 prej të cilave u bllokuan për mosregjistrim në organin tatimor. Po ashtu u vendosën 7 gjoba me vlerë 470.000 lekë për mospagim të TVSH-së, thanë burimet e mësipërme.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›