E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit taksat e regjistrimit të automjeteve

Këshilli i Ministrave miraton vendimin për sistemin e taksave në Shqipëri. Cilat janë taksat e reja për lojërat e fatit dhe kazinotë

Eljona Ballhysa

Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme rritjen e taksës së qarkullimit rrugor dhe të regjistrimit të automjeteve. Ndërkohë që më parë, për regjistrimin vjetor të një autoveture duhet të paguhej vetëm 2400 lekë dhe për qarkullimin rrugor rreth 4000 lekë, me vendimin e ri të qeverisë të dyja këto taksa, të bashkuara në një, për një autoveturë personale shkojnë te 12 400 lekë. Një masë është e përcaktuar në vendimin e fundit të qeverisë “Për sistemin e taksave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
Vendimi
Vendimi i qeverisë ka shkurtuar numrin e taksave kombëtare nga 21 të parashikuara në projektligjin për sistemin e taksave të vitit 2002, në vetëm 6 taksa kombëtare. Kështu, në vendimin e qeverisë janë përfshirë në taksat kombëtare, taksa portuale, e cila do të jetë vetëm 1 euro për çdo prekje nga të gjitha anijet në portet e Shqipërisë. Një tjetër taksë kombëtare do të jetë taksa vjetore e qarkullimit rrugor, e cila është bashkuar dhe me taksën e regjistrimit të mjeteve. Kjo taksë, e cila ka pasuar një rritje krahasuar me vendimin e vitit 2002, do të paguhet nga pronari i automjetit në çastin e kryerjes së kontrollit të parë teknik. Përjashtohen nga detyrimi i taksës së qarkullimit rrugor dhe regjistrimit të automjeteve mjetet në pronësi të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri, si dhe invalidët dhe veteranët e Luftës Nacional-Çlirimtare, të cilët e përdorin automjetin jo për qëllime përfitimi. Një tjetër taksë kombëtare do të jetë dhe taksa e mjedisit, e cila përbëhet nga taksa e importit të automjeteve të përdorura, nga taksa e karbonit për benzinën, benzolin dhe gazoilin, si dhe taksa e ambalazheve plastike. Taksa e importimit të mjeteve të përdorura, për mjetet me 10 ose më shumë vite përdorimi, për transportin e jo më shumë se 20 personave me peshëmbajtje deri në 5 tonë, do të jetë 128 000 lekë. Për mjetet e transportit motor për më shumë se 20 persona me peshëmbajtje mbi 5 tonë, taksa do të jetë 160 000 lekë. Ndërsa për traktorët rrugorë taksa do të jetë 64 000 lekë. Për mjetet me më pak se 10 vjet vite përdorimi, për transportin e jo më shumë se 20 personave, taksa do të jetë 80 000 lekë, ndërsa për më shumë se 20 persona, taksa do të jetë 100 000 lekë. Sipas vendimit të qeverisë taksa nuk duhet të jetë më pak se 60 000 lekë për autoveturat për 10 ose më shumë vite përdorimi.
Të tjera taksa kombëtare të përcaktuara në vendimin e qeverisë do të jenë taksat për lojërat e fatit dhe taksa e akteve të pullës, masën e të cilave e kemi paraqitur më poshtë.
Kompetencat
Në projektin e qeverisë janë parashikuar dhe institucionet që do të merren me vjeljen e këtyre taksave. Kështu, taksa vjetore e qarkullimit rrugor dhe e regjistrimit të automjeteve do të vilet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve e Transportit Rrugor. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet degëve të saj në rrethe, kontrollon pagimin e kësaj takse nga zotëruesit e mjeteve dhe kur vëren se nuk është paguar, vendos gjobë në masën e barabartë të taksës dhe në rast se gjoba nuk paguhet brenda 10 ditëve, bllokon automjetin. Taksa e mjedisit do të vilet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nëpërmjet degëve në rrethe për importin e makinave të përdorura. Me taksën e rentës minerare do të merren organet tatimore, ndërsa për taksën e akteve dhe të pullës zyrat e Gjendjes Civile. Me taksën e regjistrimit të lojërave të fatit do të merret struktura përgjegjëse e lojërave të fatit në ministrinë përgjegjëse për ekonominë.
Tarifat
Qeveria, në vendimin e djeshëm, ka përcaktuar në nenin 11 tarifat e shërbimit. Nga taksa kombëtare që quheshin në vendimin e vitit 2002, tashmë quhen tarifa shërbimi, nivelet e të cilave do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe institucioneve respektive. Të tilla janë tarifa e pajisjes me leje-drejtimi, tarifa për përdorimin e aparateve televizive, tarifa konsullore e Ministrisë së Jashtme për lëshimin e pasaportave të udhëtimit, tarifa për veprime në administratën e Gjyqësorit, tarifa për kalimin me avion të kufirit të Shqipërisë etj.

Taksa e akteve dhe e pullës
1. Për lëshimin e certifikatave të gjendjes civile, 50 lekë.
2. Për lëshimin e pasaportave për brenda vendit, 100 lekë.
3. Për marrjen e çdo akti të emetuar ose të zhdukur të gjendjes civile, si dhe për korrigjimin e tyre, 50 lekë.
4. Për regjistrimin e lënies së shtetësisë, 700 lekë.
5. Për regjistrimin e dhënies së shtetësisë, 700 lekë.
6. Për regjistrimin e vendimit të ndërrimit të emrit ose mbiemrit, 700 lekë.
7. Për çdo lidhje martese, 600 lekë.

Taksa e regjistrimit të lojërave të fatit
Për lojërat e fatit si lojëra aritmetike, lojëra fati sportive dhe elektronike me fitim në çast, 10 000 000 lekë.
Për kazinotë, 1 000 000 000 lekë.
Për lotarinë kombëtare 120 000 000 lekë.
Për garat sportive që zhvillohen në hipodrom, 20 000 000 lekë.
Për konkurset për parashikimet sportive, 120 000 000 lekë.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›