E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituimi i Këshillit Bashkiak, Kolegji shqyrton në 15 korrik ankimimin e PD

TIRANE- Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë pas dy ditësh kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Shqyrtimi nis më 15 korrik në orën 10:00 dhe relatore e cështjes do të jetë Meriban Mullai.

Ndërkaq pjesë e trupës gjykuese do të jenë gjyqtarët Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Entela Prifti dhe Petraq Dhimitri. Në ankimimin e saj PD kërkon shpërndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak për Tiranën në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga KQZ.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të miratojë dot ndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, pasi nuk u arrit kuorumi me 5 vota për shkak se socialistët në KQZ nuk votuan. Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga 55 këshilltarë. Zgjedhjet e 8 majit nxorrën fitues 28 këshilltarë nga "Aleanca për Qytetarin", dhe 27 këshilltarë nga "Aleanca për të Ardhmen".
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›