E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet Komisioni për Ndryshime Kushtetuese

Komisioni ka mandat ligjor për të punuar në amendamentimin e pjesës së Kushtetutës që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit dhe në atë që ka të bëjë me zgjedhjet. Procesi do të përfshijë tri faza: debatet profesionale, draftimin dhe debatin publik Nga Express më 29 prill 2011 në ora 16:00

Komisioni për Ndryshime Kushtetuese i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen konstituive, nën kryesimin e deputetit Arsim Bajrami, kryetar i komisionit.

Para përfaqësuesve të të gjitha grupeve parlamentare, kryetari Bajrami foli për punën e Komisionit dhe detyrat që i presin anëtarët e tij brenda periudhës nëntëmujore, për ndryshimin e Kushtetutës. Bajrami ofroi bashkëpunimin e tij në cilësinë e kryetarit dhe njëkohësisht kërkoi përkrahjen e anëtarëve të tjerë të komisionit, duke potencuar nevojën që qasja ndaj këtij procesi të jetë profesionale dhe me përgjegjësi politike, njofton Zyra e Informimit e Kuvendit.

Ai tha se aktualisht, komisioni ka mandat ligjor për të punuar në dy segmente: në amendamentimin e pjesës që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhjen e drejtpërdrejt të tij, dhe në pjesën që ka të bëjë me zgjedhjet.

“Këto janë ndryshime substanciale dhe prekin bazat e sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse një president i zgjedhur nga populli, ndikon edhe në kualitetin e qeverisjes”, theksoi kryetari Bajrami. Por, sipas tij, komisioni do të kërkojë mandat shtesë nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës edhe në segmente të tjera, veçanërisht në kaptinën e tranzicionit, në të cilën janë paraparë kompetencat e prezencës civile ndërkombëtare, në një periudhë të parë të pavarësisë. Sipas tij, ka mundësi që shumë kompetenca që aktualisht janë duke u ushtruar nga prezenca ndërkombëtare, të barten tek institucionet vendore. Por, ai tha se për këtë çështje duhet konsensus i brendshëm dhe me faktorin ndërkombëtar. Sipas tij, i gjithë ky proces do të zhvillohet në konsultim të ngushtë me mekanizmat ndërkombëtarë, duke marrë edhe shembuj të mirë nga vendet që e kanë kaluar këtë fazë tranzicionale.

Bajrami tha se procesi do të zhvillohet në tri faza: faza e parë do të përfshijë debatet profesionale, në fazën e dytë do të bëhet draftimi dhe në fazën e tretë ndryshimet do t’i nënshtrohen debatit publik.

Ai tha se krahas ndryshimeve kushtetuese, në mandat të komisionit është edhe draftimi i një ligji për zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit.

Kryetari Bajrami bëri të ditur se në javën e ardhshme do të paraqitet në komision plani i punës së komisionit, në të cilën do të përcaktohet agjenda e punës.

Edhe anëtarët e tjerë të komisionit folën për nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, duke potencuar edhe rëndësinë e këtyre ndryshimeve, të cilat, siç thanë ata, do të kenë implikime edhe në pjesë të tjera të saj. U potencua domosdoshmëria që, pas ndryshimeve, Kushtetuta të jetë e zbatueshme. Deputetët shfaqën qëndrimin që gjatë këtij procesi, komisioni ta kryej punën e vet në mënyrë kualitative.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›