E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci: Dëgjova SHIK’un

Nexhat Daci konfirmon se në një rast ka pranuar informatë nga SHIK’u për një atentat të mundshëm kundër tij. Në kohën kur ishte Kryetar i Parlamentit, nëpërmjet këshilltarit Ramush Tahiri, SHIK’u e kishte udhëzuar atë të mos udhëtonte një fundjavë drejt vilës në Brezovicë. Daci thotë se e kishte përfillur paralajmërimin. Nga Nebih Maxhuni më 29 prill 2011 në ora 08:50

Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, konfirmon se ka pranuar informatë nga ish-Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) për një atentat të mundshëm.

Ai, në një prononcim për Express, tha se gjatë kohës së negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Vjenë kishte pranuar një informatë nga këshilltari i tij në atë kohë, Ramush Tahiri, se “duhet të ruhet dhe mos të udhëtojë në njërin prej vikendeve në vilën e tij në Brezovicë”.

Në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij në Prishtinë, Nexhat Daci tha të enjten se nuk e di prej kujt ka mundur t’i rrezikohet jeta, por sqaron se ka zbatuar sugjerimin e këshilltarit të tij për të mos udhëtuar gjatë një vikendi në Brezovicë.

“Situata politike nuk ka qenë e mirë dhe unë kam pranuar që të mos shkoj atje”, ka rrëfyer Daci, tash kryetar i Lidhje Demokratike të Dardanisë.

Sipas tij, informata se jeta e tij ka mundur të rrezikohet ka dalë nga një zyrtar i SHIK`ut nga Ferizaj.

“Nuk kam dashur të hyj në detaje, por këshilltari im më ka thënë këtë informatë e ka marrë nga një shok i fëmijërisë nga Ferizaj, me të cilin është rritur. Nuk e kam pyetur kush është ai”, thotë akademik Daci.

Ai më tej sqaron se këtë rast e ka cilësuar si të izoluar.

“E kam cilësuar si rast të izoluar, por informatën se kryetari i Kuvendit është në rrezik ose mund të jetë i rrezikuar e cilësoj si një informatë me qëllim të mirë, pozitive”.

Konfirmimi i Nexhat Dacit pason një deklarim publik të Bekim Haxhiut, deputet i PDK-së dhe ish-pjesëtar i SHIK-ut, i cili gjatë një debati në televizionin publik, i shtyrë nga kundërshtarët politikë të shpjegojë “interesin kombëtar për të cilin ka punuar SHIK-u”, ka përmendur dy raste në të cilat ky shërbim ka punuar në të mirë të Kosovës.

Sipas Haxhiut, Daci i falënderohet SHIK-ut për sigurinë që ia kishte ofruar.
“Kundër Dacit ishte përgatitur një atentat. SHIK-u e kishte informuar për këtë lloj atentati që lidhej drejtpërdrejt me sigurinë e Nexhat Dacit dhe ai e di mirë këtë punë”, është shprehur Haxhiu.

Ai, gjithashtu, ka përmendur edhe një rast tjetër kur janë informuar zyrtarët e institucioneve për aktivitetet e disa personave të OJQ-ve, që në vitin 2004 janë larguar në drejtim të Irakut dhe vendeve tjera.

Në debatin televiziv për SHIK-un, Haxhiu ka thënë edhe se afërsia e shërbimit është më e madhe me PDK-në dhe AAK-në, pasi zyrat e tanishme të AAK-së në Prishtinë dikur kanë qenë për drejtorinë e SHIK-ut në Prishtinë.

Por, Nexhat Daci sqaron se kontakti i vetëm me njerëz të SHIK’ut ka qenë informata se ai është i rrezikuar. Madje, sipas Dacit, ky kontakt është mbajtur nëpërmjet këshilltarit të tij, Ramush Tahiri.

“Kontakte zyrtare me pjesëtarë të këtij shërbimi nuk kam pasur asnjëherë, e as që ka pasur ndonjëherë ndonjë kërkesë për takim, apo për ndonjë raport në Kuvendin e Kosovës gjatë kohës sime. Nuk ka pasur kërkesë as të debatohet për SHIK’un, qoftë për financimin e tyre apo aktivitetet”, ka theksuar Daci.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›