E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Diasporës për pazar politik

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 16:24

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Ministrisë së Diasporës, pasi që sipas kësaj partie një gjë e tillë po bëhet në kohën e “pazareve politike”, për të shpëtuar koalicionin qeverisës PDK-AKR.

Ndonëse AAK-ja gjatë fushatës zgjedhore kishte kërkuar dhe premtuar krijimin e kësaj ministrie nëse do t’i fitonte zgjedhjet, kryetari i komisionit për formimin e Ministrisë së Diasporës në këtë parti, Jahja Lluka ka thënë të premten se krijimi i kësaj ministrie është një hap pozitiv, por sipas tij, ai po bëhet në “kohën e pazareve politike”.

“Siç e dini, Aleanca ka bërë edhe një fushatë gjatë zgjedhjeve të fundit për krijimin e kësaj ministrie, fatkeqësia dhe keqardhja jonë është që krijimi i kësaj ministrie po bëhet në kohën e pazareve për të krijuar mundësi të shpëtojë koalicioni aktual, i cili ka pasur probleme. E dini edhe ju, mirëpo kjo ministri është dashur të krijohet shumë më herët, në kohën e formimit të qeverisë fillimisht dhe nevojën për krijimin e kësaj ministrie ne e kemi elaboruar në konferenca për shtyp edhe në prononcime tona”, ka thënë ai.

Krijimi i kësaj ministrie do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të shumë qytetarëve që jetojnë në diasporë, por sipas Llukës është krijuar një “aparat shumë i madh qeverisës” dhe ky problem sipas tij ka mundur të zgjidhet ndryshe.

“Ne nuk jemi kundër krijimit të Ministrisë së Diasporës s`jemi dhe po e them edhe sot, mirëpo duhet ditur se Qeveria e Kosovës sot i ka 19 ministri, i ka nja 30 zëvendës ministra, nja 5-6 zëvendës kryeministra. Nuk e di a i duhet Kosovës ky aparat kaq i madh ka mund ndoshta disi ndryshe të rregullohet kjo, por besoj që ligji për qeverinë do t’i zgjedhë edhe këto probleme”, ka thënë ai.

Lluka ka thënë se AAK-ja shpreson që Ministria e Diasporës do ta ketë mundësinë t’i bashkërenditë veprimet me Mistrinë e Kulturës, atë të Arsimit dhe ministritë tjera të cilat kanë fushëveprim të përafërt për nevojat e mërgimtarëve. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›