E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutojnë për bashkëpunimin ndërshtetëror

Nga Express më 29 prill 2011 në ora 19:35

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe shkëmbimi i informatave për çështje që lidhin fushat me interes për të dyja vendet ishin temë diskutimi mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq me Ferhat Dinoshën, ministër për të Drejtat e Pakicave dhe Ivan Brajovca ministër i Punëve të Brendshme.

Vizita e Petroviq realizohet pak ditë pasi që Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë vendimin për të pranuar komunitetin pakicë malazez dhe kroatë në Kosovë, që pritet të përfshihet në kuadër të procesit për ndryshmet kushtetuese për të cilat tashmë ekziston dakordim i plotë.

Ky vendim është vlerësuar me notë të lartë nga të gjitha takimet që ministri ka zhvilluar në Podgoricë. Në këtë rast është nënvizuar gatishmëria e Qeverisë së Malit të Zi që në një periudhë optimal të realizohet edhe shkëmbimi i përfaqësimit diplomatik mes dy vendeve.

Ndër temat e diskutimit me ministrin Brajovca kanë qenë edhe refugjatët kosovarë që përkohësisht jetojnë në Mal të Zi për të cilat Qeveria e Kosovës sot ka marrë zotime se do të ofrojë evidencë të qartë nga librat amzë, në mënyrë që ata mund të integrohen në shoqërinë malazeze, apo me vullnetin e tyre kthehen në vendin e origjinës, ku Qeveria kosovare do të ofrojë mbështetjen e plotë të ri-integrimit në institucione e shoqëri.

Të dy ministrat u dakorduan për vazhdimin në këtë vit të organizimit të konferencës ndërkombëtare në fushën e vetëqeverisjes lokale për të cilën konferencë vitin e kaluar, nikoqire e organizimit ishte Kosova.

Po ashtu, dy ministrat pajtuan për nënshkrimin e marrëveshjes shtetërore për bashkëpunim në fushën e vetëqeverisjes lokale, ku do të precizohen format dhe pjesëmarrësit e bashkëpunimit në fushën e pushtetit lokal.

Ndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare e Petroviq në Mal të Zi, pas marrjes postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të MAPL-së, njofton Zyra e informacionit pranë MAPL-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›