E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet këshilli bashkiak i Tiranës – 55 anëtarët bëjnë betimin

25-07-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Pak minuta më parë ka nisur mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak, ku drejtuesi i mbledhjes ish sekretari Vladimir Gjonaj ka lexuar rendin e saj. Ai theksoi në fjalën e tij se fillimisht do të bëhet shqyrtimi i miratimit të komisionit të mandateve, më pas betimi i këshilltarëve. Pika tjetër e rendit të zhvillimit të kësaj mbledhje është propozimi për zgjedhjen e kryetarit të ri, zgjedhja e nënkryetarit, shpallja e vlefshmërisë së kryetarit si dhe zgjedhja e anëtarëve që do të përfaqësojnë Bashkinë e Tiranës në Këshillin e Qarkut. Më pas Gjonaj ka lexuar emrin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak. 55 anëtarët e Këshillit Bashkiak janë betuar për mandatin e ri të tyre katër vjeçar në bashkinë e Tiranës. “Aleanca për Qytetarin” ka 28 anëtarë në Këshillin Bashkiak, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” ka 27 anëtarë. Partia Demokratike ka propozuar për kryetar këshilli, Njazi Kosovrastin ndërsa Partia Socialiste ka propozuar Mimoza Hafizin.
Në fjalën e tij të prezantimit të kandidatit demokrat për kryetar Këshilli, Ferndinand Pone e cilësoi figurën e zotit Kosovrasti një personalitet të spikatur të institucioneve demokratike dhe të jetës publike. “Është gjerësisht i njohur si një mendje e ftohtë, si një ndërgjegje e orientuar drejt së drejtës dhe luftës së qytetarit”, u shpreh Pone gjatë prezantimit të Kosovrastit.
Ndërsa në fjalën e tij, Aldrin Dalipi theksoi se zonja Mimoza Hafizi e përzgjedhura nga “Aleanca për të Ardhmen”, për kryetare në Këshill,është përfaqësuese e denjë e zërit të grave. “Në këtë aspekt Aleanca për të Ardhmen propozon zonjën Mimoza Hafizi, duke besuar në vlerat dhe përkushtimin e saj në këtë detyrë”, u shpreh Dalipi.

Rrokaj: Bashkia t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve

Përfaqësuesi i LSI-së, në Këshillin Bashkiak Shezai Rrokaj, duke i uruar punë të mbarë kryebashkiakut të ri Lulzim Bashës, ka theksuar se kjo forcë politike kërkon që kryetari i ri i Tiranës t’i shërbejë kryeqytetit dhe jo forcës politike nga vjen.
“Në emër të grupit tim, i uroj punë të mbarë kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, duke i kujtuar se ne kërkojmë një kryear që t`i shërbejë Tiranës dhe jo forcës politike nga vjen, dhe të ndërtojë një frymë mirëkuptimi në dobi të Tiranës”, u shpreh Rrokaj.

Muhedini: Të përfaqësojmë sa më mirë interesat e qytetarëve

Përfaqësuesi i PDIU-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Tahir Muhedini theksoi se mbledhja e parë e këtij këshilli është nisja e një pune të gjatë për të përfaqësuar qytetarët.
“Të punojmë si këshilltar të Bashkisë së Tiranës për të përfaqësuar sa më mirë interesat e qytetarëve. Do të bëjmë çmos për të ndaluar çdo fyerje ndaj kombit shqiptar. PDIU do të kërkojë që simbolet kombëtare të jenë dinjitoze në Tiranë”- u shpreh Muhedini.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›