Sot, Rama në shtëpi – Basha në bashki

Modelit të korrupsionit dhe të shndërrimit të bashkisë në një bunker që vjel përfitime nga taksat e kryeqytetasve sot i vjen fundi. Edi Rama duhet t’i kthehet rolit të taksapaguesit, ndërkohë që Lulzim Basha pritet të çlirojë bashkinë nga karteli mafioz që e kishte marrë peng. Marrja e detyrës së kryebashkiakut do kryhet para anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe prefektit të Qarkut të Tiranës, Keltis Kruja
Për qytetin e Tiranës sot është një ditë historike. Rotacioni politik i bashkisë më të madhe në vend, bën të mundur prekjen e ndryshimit si dhe largimin nga institucioni i administrimit të qytetit, të “njollës së zezë” që qeverisi më mënyrë bastarde për 11 vjet. Lulzim Basha nis sot zyrtarisht punën si kryetar i bashkisë së Tiranës, pas votës masive që mori më 8 maj, nga mbarë qyteti i Tiranës dhe qytetarët e tij. Lulzim Basha do të ulet sot në mesditë në zyrën e Kryebashkiakut, për të nisur nga puna projektet e transformimit të qytetit, kryeqendrës së Shqipërisë. Pas një periudhe të gjatë zgjedhore, më në fund saga e Tiranës ka marrë drejtimin e duhur, duke u orientuar drejt perspektivës së zhvillimit, por me kushtin e vetëm që të hidhet pas krahëve katrahura 11 vjeçare dhe degdisja banditeske që iu bë qytetit më të madh në vend. Imazhi i Tiranës së kaosit, i papunësisë, i taksave të larta dhe varfërisë si pasojë e mungesës së vullnetit të bashkisë për t’u kujdesur për hallet dhe problemet e qytetarëve, duhet të fshihet për tu zëvendësuar me projektet konkrete të Lulzim Bashës, të cilat konsistojnë në vende të reja pune, reduktim taksash si dhe një përkujdesje eficente për qytetin dhe qytetarët. Vlen të theksohet, fundja edhe për konotacion historik, për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës, për plot 11 vjet bashkia e Tiranës është renditur ndër bashkitë më të korruptuara të planetit, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë perspektivës së investitorëve, ndërsa klika e përfituesve ishte vetëm një rreth i ngushtë mafiozësh, të lidhur me administratën e bashkisë si dhe funksionarë të rëndësishëm të saj. E thënë shkurt, masakra urbane e Tiranës i ka përgjegjësit në Partinë Socialiste, në kryesinë e saj si dhe në radhët e deputetëve socialistë. Skema e funksionimit të përfitimit korruptiv kishte si orbitë të vetën ish të parin e qytetit Edi Rama, i cili asnjëherë s’e ka merituar votën e qytetarëve të Tiranës, pavarësisht se falë teknikave dhe vrimave të manipulimit mbijetoi në krye të qytetit që asnjëherë s’e administroi me efikasitet. Mbi të gjitha Tiranës i mungonte frymëmarrja. Njeriu i ‘betonit’ betonizoi çdo hapësirë të blertë, duke e kthyer atë në pallat shumëkatësh të Dash Pezës, Sadri Abazit apo Fidel Yllit. Asfiksia e lagjeve të tëra të Tiranës u arrit me një të rënë të lapsit nga çudibërësi ish kryebashkiak. Tani ai është një “ish”, por bëmat dhe katrahurën që i ka shkaktuar Tiranës janë një plagë e rëndë dhe shërimi i saj është në dorë qytetarëve të Tiranës dhe administratës së re që sot merr bekimin për të nisur nga puna shpëtimin misionin e shpëtimit të qytetit. Qyteti i Tiranës prej vitesh meritonte një dorë ndryshe, meritonte një frymë të pastër administrimi, larg duarve të korrupsionit ‘edvinist’ që kataploi arkat financiare të bashkisë së Tiranës. Grabitësit e xhepave të qytetarëve s’janë më aty. “Hija e zezë” që dilte nga zyra kryetarit të bashkisë është zhdukur, për t’u zëvendësuar me vizionin dhe ardhmërinë Evropiane të Tiranës dhe qytetarëve të saj. Sot, është ditë historike. Lulzim Basha shkon në bashki, Edi Rama ikën në shtëpi. E ardhmja po fillon...
...