E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet këshilli i qarkut të Tiranës

29/09/2011  Kryesimi sërish nga Mema i “Aleancës për Qytetarin”, në kryesi edhe “Aleanca për të Ardhmen”

Kryebashkiaku Basha u kërkon anëtarëve të këshillit bashkëpunim pavarësisht ngjyrave politike

Kryesimi i këshillit të qarkut për Tiranën gjatë katër vjetve të ardhshëm i është besuar sërish përfaqësuesit të “Aleancës për Qytetarin” Tahsim Mema, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë Korab Lita. Në mbledhjen e thirrur gjatë ditës së djeshme nga kryebashkiaku Lulzim Basha është finalizuar edhe konstituimi i këshilli të qarkut me të gjitha instancat e tij drejtuese, të cilat duhet të angazhohen për krijimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve, pavarësisht ngjyrave politike që ka në përbërje ky këshill. Drejtuesit

Si rezultat i votimeve të bëra nga përfaqësues të komunave dhe bashkive që bëjnë pjesë në qark si dhe kryetarëve të komunave e bashkive, të cilët janë kurdoherë anëtarë të këshillit, Mema u zgjodh me 73 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenime, ndërsa nënkryetari i Lita,u zgjodh me 65 vota pro dhe 2 abstenime. Më tej komisioni me 64 vota pro dhe dy kundër ka përcaktuar edhe kryesinë e këshillit, anëtar të së cilës tashmë janë Ferdinand Pone, Lulzim Basha, Shezai Rrokaj, Xhelal Mziu, Fiqiri Ismaili, Enver Reçi i “Aleancës për të Ardhmen”, Fatbardh Plaku, Njazi Kosovrasti, Ndriçim Dushku. Pas certifikimit të drejtuesve të instancave përkatëse të këshillit Mema është shprehur se do të bashkëpunojë me të gjithë këshilltarët, pavarësisht ndasive politike të majta e të djathta, me qëllimi plotësimin e kërkesave dhe nevojave të komunitetit që përfaqësojnë. Konkretisht qarku i Tiranës përbëhet nga 4 bashki dhe 24 komuna, ndërkohë që këshilli ka 84 anëtarë, 67 nga koalicioni i djathë, 16 nga koalicioni i majtë dhe një anëtar i pavarur.

Bashkëpunimi

Kryebashkiaku Basha u ka kërkuar përfaqësuesve të këshillit bashkëpunimin për të siguruar atë që meritojnë banorët e qarkut më të rëndësishëm të Shqipërisë. Teksa ka siguruar angazhimin e plotë të administratës së Bashkisë, Basha ka kërkuar nga përfaqësuesit vendorë “bashkëpunim sa më të frytshëm gjatë kësaj mbledhjejeje në shërbim të interesave të qytetarëve të qarkut tonë, të cilët na kanë zgjedhur mbi të gjitha jo për ngjyrat politike që përfaqësojmë ose që përfaqësuam gjatë fushatës, por për një shërbim sa më të mirë, sa më të shpejtë, efikas, dinjitoz ndaj interesave të tyre të përditshme, por dhe interesave të tyre afatgjatë”. Më tej Basha ka sqaruar se të gjithë të zgjedhurit vendorë vetëm duke punuar së bashku mund të çojnë përpara projektet ambicioze, vizionin largpamës, për të cilin janë konfirmuar nga zgjedhësit më datën 8 maj. “Tirana e madhe, ky koncept, ky vizion, i cili ngërthen në vetvete shtrirjen e bulevardeve të zhvillimit ekonomik, shoqëror, turistik, mjedisor, por dhe bulevardeve fizike, infrastrukturës së re, transportit publik me mjete moderne, do të jetë e pamundur nëse ajo nuk do të ndodhet në shpirtin, mendjen dhe punën e përditshme të këshillit të qarkut”, - ka deklaruar Basha para anëtarëve të qarkut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›