E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituohet sot komisioni, ja çështjet e nxehta të reformës zgjedhore

SHKRUAN: Fejzi Braushi 30-11-2011 12:59

Gjetja e një formule të re për kompozimin e KQZ-së, sistemi zgjedhor, vendosja e përcaktimeve të qarta ligjore për mjetet e identifikimit të zgjedhësve etj., do të jenë disa nga çështjet më të debatuara

Pas hezitimesh të gjata, partitë politike të përfaqësuara në Kuvend do të nisin sot zyrtarisht punën për të bërë rregullimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor. Në orën 12.30 në selinë e kryesisë së Kuvendit do të nisë punë komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore, me përbërje të barabartë mes pozitës dhe opozitës si dhe me drejtim bipartizan, i cili ka një mandat katërmujor. Gjetja e një formule të re për kompozimin e KQZ-së, sistemi zgjedhor, vendosja e përcaktimeve të qarta ligjore për mjetet e identifikimit të zgjedhësve etj., do të jenë disa nga çështjet më të nxehta të punës së këtij komisioni, pasi palët kanë shfaqur hapur qëndrime diametralisht të kundërta për to.

Komisioni

Konsensusi i dëshmuar në dy javët e fundit mes mazhorancës dhe opozitës në miratimin e një sërë nismash dhe vendimesh të rëndësishme në Parlament, do të vijojë sot edhe me nisjen nga puna konkrete e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore. Mbledhja e parë do të shërbejë më shumë për konstituimin e komisionit, ndërkohë që do të bëhet edhe zgjedhja e sekretarit, pasi dy bashkëkryetarët janë të zgjedhur nga ana e Kuvendit. Gjithashtu pritet të bëhet dhe zgjedhja e grupit të ekspertëve, të cilët do të punojnë për çështjet konkrete, duke ndihmuar anëtarët e komisionit, ku secila forcë politike do të ketë të drejtën të propozojë nga një emër. Në mbledhjen e sotme do të miratohet edhe plani i punës së këtij komisioni. Megjithëse është ende herët, palët që do të ulen në këtë tryezë kanë të qarta tashmë qëllimet e tyre, që në shumë raste janë të ndryshme. Kështu, së pari, duket se dy forcat e mëdha kanë një interes të përbashkët në këtë reformë, që është ajo e sistemit zgjedhor për të cilin nuk kanë ndonjë dëshirë për ta ndryshuar. Dëshirë kjo që vjen në kundërshtim me qëllim për të cilin janë futur në këtë komision partitë e vogla, të cilat nga shpalosja e qëndrimeve të tyre të mëparshme janë qartazi për një sistem proporcional kombëtar. Ndërkohë që, pavarësisht se kanë rënë dakord që reforma t’i përmbahet vetëm 52 rekomandimeve që përmbajnë dy raportet e OSBE-ODIHR-it, palët natyrisht pritet që të debatojnë në tryezën e komisionit edhe për çështje që nuk përmenden në këto rekomandime, siç janë kërkesat e PS-së për mjete të posaçme identifikimi të zgjedhësve etj. Çështje të tjera që do debatohen në komision dhe që do të ngjallin debat pritet të jetë edhe ajo e kompozimit të KQZ-së. Janë raportet e OSBE-ODIHR-it ato që evidentojnë problematikën me KQZ-në, ndërsa shtrojnë për zgjidhje mënyrën e funksionimit dhe të vendimmarrjes së këtij institucioni. Natyrisht për këtë palët kanë qëndrime të kundërta, pasi deri më tani socialistët kanë propozuar publikisht një sërë formulash, si ato apolitike, apo edhe ato me përfshirjen në të drejtën e propozimit të një anëtari edhe të kreut të shtetit. Çka, pavarësisht se nuk është komentuar publikisht nga të djathtët, nuk është pëlqyer si ide.

Përbërja

Komisioni i Reformës Zgjedhore u miratua nga Kuvendi dy javë më parë me konsensus absolut të të gjitha partive pjesëmarrëse në të. Madje, ky vendim mori më shumë vota pro se çdo projektligj apo vendim tjetër të marrë kohët e fundit nga Kuvendi, pasi të 130 deputetët e pranishëm në sallë kanë miratuar propozimin e ardhur nga Konferenca e Kryetarëve. Komisioni do të drejtohet nga Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri, ndërkohë që anëtarë të tij do të jenë Viktor Gumi, Fatmir Mediu, Vangjel Tavo, Shpëtim Idrizi, Vasilika Hysi, Armando Subashi, Arben Isaraj dhe Vangjel Dule. Sipas vendimit të miratuar nga Kuvendi, komisioni ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Gjithashtu, komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Sipas vendimit të miratuar, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij. Gjithashtu, në të përcaktohet se çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Ndërkohë që në të përcaktohet gjithashtu se për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›