E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dalë përgjegjësia? Po ku është fshehur përgjegjësia?!

Parashqevi Zoto, Valbona e Anxhela Dalani, nënë e bijë në Gjirokastër ishin në shtëpinë e tyre, në punën dhe jetën e tyre. Pranë varrit të hapur mes rrënojave që kallin frikë, qeveritarët kërkuan “të dalë pergjegjësia”.

Ndodh një tragjedi tjetër dhe pikërisht ATA që duhet të mbajnë përgjegjësi, i drejtohen për shpëtim institucionit të përgjegjësisë. A thua se kjo praktikë shërben dhe mbetet faltore për krerët e shtetit dhe ata që drejtojnë institucionet e tij për të zbardhur të vertetën.

Ngrenë zërin pikërisht ata që kanë levat e komandës dhe përgjegjësinë, por edhe të tjerë për t’u mbajtur iso. Ngrenë zërin dhe flasin në emer të ligjit, sigurisë njerëzore, duke menduar se po i bëjnë një shërbim shtetit, i cili ka mbetur i fjetur dhe anemik. Kërkojnë me çdo kusht “të dalë përgjegjësia për atë që ka ndodhur”.

Po ku është fshehur përgjegjësia? Ku është ngujuar përgjegjësia? Më thjesht akoma, kush e mban fshehur aq thellë përgjegjësinë?

Nuk është kjo tragjedia e parë, as e fundit. Kanë ndodhur disa gërdecë në Shqipëri këtë vit dhe të tjerë mund të ndodhin dhe qeveritarët do të thonë përsëri: “Të dalë përgjegjësia”. Për çfarë përgjegjësie bëhet fjalë? Shteti im, shteti yt, shteti i të gjithëve, e ka fare të lehtë të rekomandojë: “Të nxirret përgjegjësia” (në fakt shprehja është e dalë boje) dhe këtu ai e konsideron të përfunduar misionin e vet?!

Është shteti që i ka lënë hapur rrugët drejt gërdecëve që të gjithë i kemi prapa derës së shtëpisë. Këtë e kuptojnë njerëzit e thjeshtë dhe e drejtojnë gishtin tek autoriteti i shtetit që, as më shumë e as më pak, na dhunon lirinë në mënyrën më të keqe të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›