Konsullata Greke nuk njeh certifikatat e reja ku nuk është kombësia
Gjirokastër- Konsullata e Përgjithshme Greke në qytetin e Gjirokastrës nuk njeh certifikatat e reja të lëshuara nga gjendjet civile për efekt dokumentesh. Gjatë ditëve të fundit qytetarët e ndryshëm që janë paraqitur pranë kësaj konsullate me dokumente, mes të cilave edhe certifikata e re, janë kthyer mbrapsht. Sipas qytetarëve, punonjësit e konsullatës u kanë pohuar se ende nuk kanë asnjë njoftim zyrtar në lidhje me ndërrimin e modelit të certifikatave të lëshuara nga gjendet civile.
Ankesat
“Unë i kisha të gjitha dokumentet të legalizuara dhe vulosura si nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ashtu edhe nga Prefektura e Gjirokastrës, ndërkohë që porsa i paraqita ato në konsullatë m’i kthyen mbrapsht, pasi i kisha shoqëruar me certifikatën e re që e mora përpara disa ditësh në gjendjen civile”, thotë N. Jani, banor nga zona e Gjirokastrës. Aktualisht Konsullata Greke në Gjirokastër vazhdon të përballojë një volum të konsiderueshëm pune përsa i përket përpunimit të dokumenteve të personave të ndryshëm që udhëtojnë në drejtim të Greqisë për arsye biznesi, shkollimi, probleme shëndetësore etj. Me punën e saj ajo mbulon gjithë pjesën jugore të vendit tonë. Për këtë shkak mosnjohja e certifikatave të reja nga ana e kësaj konsullate ka krijuar probleme te qytetarët. “Unë nuk e kuptoj një gjë të tillë, kur konsullata nuk është marrë vesh me shtetin shqiptar për daljen e certifikatave të reja dhe pajisjen me to të qytetarëve”, thotë një tjetër banor i zonës së Gjirokastrës, ndërsa i janë kthyer mbrapsht dokumentet për shkak se ato shoqëroheshin me certifikatën e re të gjendjes civile.
Deklarata
Në një deklaratë për shtyp, të publikuar ditën e enjte, organizata Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (OMONIA) e cilësonte si shkelje të të drejtave të njeriut modelin e ri të certifikatës së lëshuar nga gjendja civile, pasi në të nuk pasqyrohet kombësia. Sipas OMONIA-s, “ ky akt pa asnjë paralajmërim i qeverisë shqiptare për të ndryshuar formatin dhe përmbajtjen e certifikatës së lindjes etj. dhe që të mos referohet më elementi i kombësisë, përveç që krijon probleme të shumta të karakterit teknik dhe burokratik për nënshtetasit me origjinë greke, konfirmon me fakte se cilat janë mentalitetet që zotërojnë në aparatin shtetëror shqiptar edhe përsa i përket çështjes së madhe të regjistrimit të popullsisë”. Sipas organizatës Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek, shteti shqiptar tregon se nuk është shkarkuar ende nga mentalitete politike që e pengojnë si në realizimin e kohezionit të brendshëm shoqëror edhe në rrugëtimin e qetë drejt BE-së.”Akte si ky i fundit, sikundër edhe prapësimet e vazhdueshme në çështjen e regjistrimit, bien erë rigjallërim të fenomeneve neotomane që i duan qytetarët e këtij vendi të ndarë në dy kategori. Të tilla fenomene sigurisht nuk mund të konceptohen në një shtet ligjor dhe të europianizuar. “Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat dhe mjetet ligjore në mënyrë që ky akt edhe të denoncohet edhe të rregullohet kjo procedurë lëshimi e certifikatave të lindjes etj. Elementi i kombësisë përbën një argument themelor për theksimin e veçorive të një minoriteti dhe për ne përbën një të drejtë të dhënë.