E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau të miturin, ekstradohet nga Italia 31-vjeçari

SHKRUAN: Djana Kolaj 28-05-2011 09:32

SHKODËR- Ekstradohet nga Italia një i shtetas i shpallur në kërkim nga Policia Shkodër, i dënuar për “Vrasje me dashje”. Nard Kodra 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hoti Ri, rrethi Shkodër, është dënuar në mungesë me 7 vjet burgim për vrasjen e 15-vjeçarit Jeton Halili, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1996. Gjykata e Shkodrës e ka gjykuar në mungesë Nard Kodrën dhe në vendimin e saj të datës 08.04.2007 e ka dënuar 14 vjet burgim dhe duke përfituar nga fakti që në kohën e kryerjes së krimit Kodra ka qenë i mitur atij i është zbritur gjysma e vendimit dhe përfundimisht është dënuar me 7 vjet burgim, duke e deklaruar fajtor për vrasjen me thikë të 15-vjeçarit Jeton Halili. Vrasja me thikë e 15-vjeçarit Jeton Halili, e ndodhur më 12.10.1996 në fshatin Mes të komunës Postribë në Shkodër, ka qenë e pazbuluar për policinë dhe autori i pa ndëshkuar. Kjo pasi dosja e kësaj ngjarjeje ishte djegur gjatë trazirave të vitit 1997. Policia e Shkodrës në bazë të provave të reja ka rihapur e dosjen në vitin 2007 .Rifillimi i hetimeve është bërë nga komisariati i policisë së Shkodrës, i cili ka mundur të bëjë rindërtimin e dosjes dhe materialet e grumbulluara, ia ka dërguar prokurorisë. Bazuar në materialet e policisë, organi i akuzës ka lëshuar urdhër ndalimin për autorin e kësaj ngjarjeje Nard Kodra 31 vjeç, i cili ishte larguar drejt Italisë. Pas plotësimit të dosjes, ajo i është dërguar Interpolit. Vrasja e 15- vjeçarit ka ndodhur pas urës së Mesit në komunën Postribë. Viktima Jeton Halili, 15 vjeç, ka qenë nxënës në shkollën që ndodhet në qendër të komunës në fshatin Mes. Paraditen e 12 tetorit 1996 ai ka qenë duke luajtur futboll me shokët e shkollës në oborrin e saj. Nard Kodra ka qenë brenda në oborrin e shkollës dhe ka dashur të pengojë nxënësit që po luanin, duke i ngacmuar dhe marrë topin. Pikërisht për këtë ka lindur dhe konflikti me 15-vjeçarin. Disa orë më pas, Kodra ka gjetur adoleshentin dhe e ka goditur disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Rreth orës 22.40 të së enjtes është bërë ekstradimi i 31-vjeçarit nga Italia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›