Pranga të moshuarit, qëlloi me çifte fqinjin 20-vjeçar
Tiranë- Një 65- vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dy ditë më parë ka tentuar të vrasë me çifte një 20- vjeçar pas një konflikti banal. Burime nga policia bëjnë të ditur se i arrestuari është 65-vjeçari Ram Basha, banues në Zall Mneri i Ri të Kamzës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia lajmëroi se arrestimi i tij u krye rreth orës 22:00, pasi ka tentuar të vrasë me armë gjahu, çifte, Elez Elezin 20 vjeç, banues në Zall Mner i Ri. Ky i fundit është shtruar në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se konflikti ka ardhur për shkaqe krejt banale. Elezi ka qenë duke kullotur lopën e tij dhe në një moment ajo ka hyrë brenda tokës së 65-vjeçarit Basha. Në këto çaste, mes dy personave ka nisur konflikti, ku Basha i ka kërkuar që të largonte lopën nga toka e tij. Pas fjalëve dhe debateve të shkëmbyera mes njëri-tjetrit, 65-vjeçari Ram Basha ka nxjerrë një çifte dhe ka qëlluar në drejtim të 20-vjeçarit Elez Elezi, duke i shkaktuar plagë në trup. Menjëherë Elezi është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimeve të marra, është jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje 20-vjeçarin, duke arritur të identifikojë autorin dhe ta arrestojë atë gjatë ditës së djeshme. Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për konsumim të veprës penale të vrasjes së mbetur në tentativë.