Arvizu dhe Sequi ngushëllojnë familjarët: Duhet të jeni krenar për heroizmin e Kapiten Voglit. Berisha: Ngjarje e dhimbshme për vendin, do vazhdojmë kontributin për paqen dhe lirinë

Thaçi, Hoxhaj dhe Ahmeti, mesazhe ngushëllimi për rënien në detyrë të ushtarakut shqiptar. Aleksandër Arvizu viziton familjarët e "Dëshmorit të Atdheut" kapiten Feti Vogli, ndërsa Sequi shpreh ngushëllimet e tij gjatë konference me kryeministrin Berisha
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka vizituar sot familjen e “Dëshmorit të Atdheut” Feti Vogli i cili ndërroi jetë gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit. Ndërsa i ka shprehur ngushëllimet familjes së kapitenit Vogli, ambasadori Arvizu në një prononcim për mediat kanë vlerësuar figurën e tij. “Askush nuk e di se përse Feti Vogli ishte personi që u vra, por ai vdiq për një qëllim dhe ju duhet të jeni krenar për atë se çfarë ai ka bërë”- ka theksuar ambasadori Arvizu. Gjithashtu ambasadori amerikan, Arvizu ka vizituar edhe familjen e Nëntetarit Aleksandër Peci i cili u plagos ditën e djeshme gjatë këtij sulmi, duke i uruar familjarëve shërim të shpejtë të tij.
Ambasadori i BE, Ettore Sequi
Kreu i prezencës së Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi ka shprehur keqardhjen për vrasjen e Feti Voglit, si dhe plagosjen e nëntetarit Aleksandër Peci, të cilët shërbenin në misionin e tyre paqeruajtës në Afganistan. “Më lejoni të shpreh simpanitë ndaj familjeve të ushtarit trim shqiptarë, i cili u vranë në provincën e Kandaharit në Afganistan. Gjithashtu, mendimet e mia dhe besoj të të gjithë ambasadorëve, shkojnë tek ushtari tjetër i plagosur dhe familja e tij. Ne i urojmë shërim të shpejtë e të plotë”- u shpreh Sequi. Nga ana e tij, kryeministri Berisha ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në Afganistan. Ndërsa ka folur në konferencën për qeverisjen elektronike, kryeministri Berisha iu referua edhe ngjarjes në Afganistan ku si pasojë e një sulmi u vra komandoja shqiptare Feti Vogli dhe u plagos nëntetari Aleksandër Peci. “Dua ta falenderoj ambasadorin për ngushëllimet që paraqiti për kapitenin që ra në krye të detyrës. Kjo ngjarje e dhimbshme për vendin, por ne mbetemi të vendosur të japin kontributin tonë në këtë vend pasi paqja dhe stabiliteti i të cilit është i rëndësishëm për botën dhe Europën”- ka theksuar Berisha.
Deklaratat e kryeministrit Berisha dhe ambasadorit Sequi u bënë gjatë në punimeve të konferencës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kapitenit Feti Vogli në Afganistan. Në letër thuhet ndër të tjera se, “ky është një moment i vështirë për shtetin shqiptar, për familjen Vogli, për miqtë e tij, por edhe për gjithë kombin shqiptar”. Ndërkaq, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në mesazhin e saj të ngushëllimit thotë se me dhimbje ka mësuar lajmin e vrasjes së paqeruajtësit shqiptarë në Afganistan. “Me dhimbje të thellë e morëm lajmin se në Afganistan ra heroikisht kapiteni Feti Vogli”, thuhet në telegramin e Jahjagës, e cila ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta të saj, të institucioneve dhe të popullit të Kosovës. Presidentja e Kosovës, gjithashtu ka uruar që ushtari i plagosur shqiptar në Afganistan, Aleksandër Peci, të shërohet sa më shpejt. Letër ngushëllimi drejtuar drejtuesve te institucioneve shqiptare dhe familjarët e paqeruajtësve ka shprehur dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Në letër Ahmeti thekson se “me pikëllim dhe dhimbje pranova lajmin për rënien në detyrë të ushtarakut shqiptar, Kapiten Feti Bedri Vogli si dhe plagosjen e rëndë të Aleksandër Jak Pecit, të cilët po përfaqësonin Shqipërinë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Afganistan. Po ashtu dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, pas vrasjes së një ushtari shqiptar dhe plagosjes rëndë të një tjetri.