Drita Pelinku: Me monodramën i them lamtumirë skenës
Ajo është një grua 80-vjeçare, që jetoi në shekullin XX. Një hebreje që gjithë jetën mbeti në një udhëtim të dhimbshëm. Përjetoi drama si e dëbuar, si grua, si nënë, të cilat i shpalos në një rrëfim të kujtesës. Për ditë me radhë Drita Pelinku ka jetuar si Rouz Roz. Martin Sherman, dramaturgu amerikan, e ka sjellë si një dëshmi të ngjarjeve tronditëse të shekullit XX në monodramën me të njëjtin titull. "Doja të tregoja gjithë historinë e jetës së kësaj gruaje. Doja të paraqisja se ç‘do të thotë të jesh çifut në shekullin XX. Si mund të bëja ndryshe? Të shkruaja një vepër kur ajo të ishte 20 vjeçe e ta përfundoja në të 80-at? Do të nevojiteshin tri aktore të ndryshme nga një çast (përzgjedhje) prej 400 syresh, diçka si superprodhim. Do të ishte e tepërt", ka thënë Sherman. Bujar Alimani, i njohur si regjisor i filmave me metrazh të shkurtër, e ka përzgjedhur për ta sjellë në shqip si sprovën e tij të parë në teatër. Si për rastësi, kjo e shkuar bëhet më se aktuale kur mediat botërore raportojnë vazhdimisht krime në Gaza, sulme në Palestinë e Izrael. Personazhin ia ka besuar zyshës së tij, Drita Pelinkut. Aktorja e njohur, që vjen në të parën monodramë, do të ngjitet sot në mbrëmje në premierë, ora 19:00, për të vazhduar edhe tri ditë më pas shfaqjen. Në sallën e provave e sheh të ngulmojë deri dhe te detajet, me një energji që e sfidon moshën. Por ndërsa përgatitet për të dhënë më të mirën, Pelinku shprehet se me këtë pjesë do t‘i thotë lamtumirë skenës. Do të jetë një takim i fundit me publikun. "Ka ardhur me të vërtetë koha", thotë ajo, teksa tregon se si ka jetuar me këtë personazh, nën fustanin e hollë, e ka ndjerë si të vetat gjithçka që i ka ndodhur Rouz-ës. Për këtë projekt të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Alimani ka bërë si pjesë të stafit Mikel Kalemin si as.regjisor, Klajd Ymerin si skenograf dhe kostumograf dhe Nikos Blasopulos, i cili ka ardhur nga Athina për ndriçimin.
Nesër do t‘ju shohim në skenën e Teatrit Kombëtar në të parën monodramë, "nën lëkurën" e Rouz-ës, një gruaje hebreje. Si ndjeheni?
Është një sipërmarrje e re, mjaft e bukur, por në të njëjtën kohë dhe shumë e vështirë për t‘u realizuar. "Rouz" është një monodramë krejtësisht e veçantë. Në të përfshihen ngjarjet më të mëdha të shekullit XX. Janë një grumbull faktesh të njohura apo të pazbuluara më parë, jetë njerëzish, marrëdhëniesh. Të gjitha këto shkojnë te shikuesi përmes kujtesës së personazhit kryesor, Rouz, një grua me origjinë hebreje, që i ka kaluar të 80-at. Kujtesa fillon nga fëmijëria e deri në ditët e fundit të perëndimit të diellit të saj. Jeta e saj është shumë e pasur. Ajo ka përjetuar ngjarjet më tronditëse, ka parë familjen e saj të shuhet e të ringrihet, por në botën e saj intime kalon edhe linja e dashurisë. Është një ndjesi që e përshkon gjithë veprën. Duket sikur është vënë qëllimisht për të zbutur dramacitetin e madh të ngjarjeve të këtij shekulli. Mund ta cilësoj si një personazh shumë të çuditshëm. Nuk ka gjëra që thuhen hapur, por janë të nënkuptueshme nga veprimet e personazhit. Nga prova në provë mund të zbuloj gjëra të reja të saj. Është një rol shumë i rrallë. Rouz, një nga dëshmitaret e ngjarjeve tronditëse e të llahtarshme, veçanërisht për hebrenjtë, është zëri i fuqishëm i një nëne që nuk ka veçse forcën e fjalës për t‘u ngritur kundër dhunës, gjakmarrjes, hakmarrjes, kundër çdo gjëje që shkakton viktima të tjera. Ajo kërkon që kjo e shkuar të mos përsëritet, por as të mos harrohet.
Si jeni ndjerë gjatë kësaj "bashkëjetese" me personazhin tuaj?
Ajo është një grua mbi të 80-at dhe së pari na lidh mosha. Më tej ndjenja e nënës. Ajo lufton që fëmijët e saj të bëhen sa më të mirë, të mos marrin rrugën e gabuar. Kjo ndjenjë përshkon edhe jetën time. Nëse kam ndonjë qëllim në jetë, ata janë fëmijët. Ndonëse kam kaluar orë të tëra në teatër, në atë që mund ta quaj pa frikë shtëpia ime e dytë, dashuria e parë kanë qenë fëmijët e mi. Këto janë pika referime me Rouz-in, ashtu si është edhe dashuria me shikim të parë me të shoqin. Edhe unë jam dashuruar me shikim të parë me bashkëshortin tim. Nëse Rouz frymëzohet nga kjo dashuri gjithë jetën e saj, kështu ndodh dhe me mua. Prandaj ato momente i kam kaq të afërta, kaq të miat, sa herë-herë më duket sikur jam unë Rouz.
Gjatë provave pati shumë momente që edhe u mallëngjyet...
Mënyra si e ka shkruar autori veprën, të çon në momente përjetimi. Përpara teje hapen tablo të tilla ku është e pamundur që shpirti i artistit që interpreton të mos i përjetojë para se t‘i transmetojë. Më ndodhte që regjisori më porosiste ta kalonim lehtë provën, vetëm me ndonjë kalim të tekstit. E nisja me këtë mendim, por pa e kuptuar përfshihesha e tëra. Është e pamundur të bëhet lidhja vetëm racionale e fakteve dhe ngjarjeve që ndodhin në skenë. Ato janë gërshetuar në mënyrë të tillë që nga truri kalojnë në botën e brendshme të aktorit.
Hebrenjtë kanë jetuar edhe në Shqipëri. Keni njohur ju më parë ndonjë Rouz Roz?
Në Vlorë ka pasur një lagje të tërë me hebrenj. Unë i kam njohur në fëmijërinë time, kur ishim në rrethana e marrëdhënie krejt të tjera me ta. Nuk kam arritur ta njoh nga afër botën e brendshme të tyre, të cilën e mësova përmes literaturës.
E pritët me dyshim ftesën e Bujar Alimanit për t‘u ngjitur në skenë?
Bujari ka qenë ish-student i imi dhe tashmë regjisor. Ne kemi mbajtur lidhje të vazhdueshme edhe gjatë kohës që ai nuk ishte këtu. Tashmë është i njohur si regjisor i filmit me metrazh të shkurtër dhe për herë të parë provon në dramë. Fillimisht ma dha dramën për ta lexuar e për të marrë një mendim prej meje. Që në leximin e parë më trokiti personazhi, por nuk mendova për asnjë çast që do ta luaja unë. Kur u takuam, rrahëm mendimet. Pastaj Bujari më dha rolin. Pata dyzim në veten time, nëse do kisha forca fizike për ta përballuar. Jo vetëm se është një pjesë ku për 1 orë e 20 minuta duhet vetëm të flasësh, por për botën e madhe emocionale që ka ky rol. Ajo që më tërhoqi ishte platforma regjisoriale e mirë dhe mendova se do të arrinim të bënim diçka nëse unë "do ta gëlltisja" këtë vepër. Kështu nisi puna. Ishim larg, komunikonim me telefona dhe prisnim rastin që Bujari të kishte mundësi të vinte. Herë punoja me monodramën e herë e lija se më dilnin çështje si puna në Akademinë e Arteve apo xhirimi i ndonjë filmi. Ishim gjysmë të përgatitur kur Bujari erdhi në Tiranë. Kam punuar shumë rehat. Më ka pëlqyer që si regjisor nuk e cenon personalitetin e aktorit, por e drejton. Ka regjisorë që i kërkojnë aktorit ta çojë rolin ashtu si ata e mendojnë figurën, por në fakt është një lidhje e ndërsjellët.
Kjo është monodrama e parë. Pse nuk keni tentuar më parë?
Unë i kam provuar gjithë gjinitë teatrore: dramën, komedinë, tragjeditë e mëdha, deri dhe skeçe të vogla. Kam kaluar në këtë kalvar stilesh dhe rolesh, por nuk kisha realizuar një monodramë. Kjo gjini hyri shumë vonë te ne. I kam ndjekur me kënaqësi. Ato kanë të veçantën e tyre dhe janë mjaft të vështira, por unë kurrë nuk e kam menduar të luaja vetë në monodramë.
Keni marrë përsipër të sfidoni moshën, veten, Rouz-ën dhe dramacitetin e këtyre ngjarjeve...
Është tamam sfidë, por nuk e di si do dalë. Shumë herë kemi ftuar njerëz në prova, që të marrim mendimin e tyre. Mua më pëlqen që në procesin e punës të kem njerëz që shprehin hapur mendimin e tyre, sepse ke mundësi të korrigjohesh. Më pëlqejnë vërejtjet gjatë provave, por jo kur e kam mbaruar veprën. Gjithsesi, këtyre nuk u shmangesh. Në fund të fundit është një provim. Pas kësaj shfaqjeje do t‘i them lamtumirë skenës. Besoj se vërtet ka ardhur koha. Edhe fizikisht nuk besoj se do jem në gjendje.
Nëse kjo do të jetë ngjitja e fundit në skenë, a keni ëndrra që nuk i realizuat dot në të?
Unë kam pasur ëndrra për skenën, keqardhje, pengje që kanë mbetur të parealizuara edhe pse kam bërë shumë role. Kam pasur ëndërr të luaja Zonjën te "Hijet" e Ibsenit. Atëherë i lutja regjisorët ta vinin në skenë këtë pjesë, por nuk e di pse nuk e vunë. Një vepër shikohej nga të gjitha drejtimet dhe sot e kësaj dite nuk jam në gjendje të gjykoj se çfarë nuk i pëlqyen. Këtë ëndërr e realizuam pak a shumë me studentët. E vura këtë vepër me studentët e kursit të katërt. Provova kënaqësi të madhe, sepse e shpreha diku atë që e ruaja rezervë në veten time. Kam pasur ëndërr të luaja edhe Ledi Makbeth. Lexoja trajtime të ndryshme dhe mendja arsyetonte se të gjitha ngjarjet që zhvillohen tek ajo janë për hir të dashurisë së të shoqit, pavarësisht se lyen duart me gjak. Ka disa ëndrra të mia që nuk u realizuan dot. Ai artist që nuk ka ëndrra, vdes shpirtërisht. Atë e mbajnë ëndrrat, për të cilat duhet të luftojnë. Është e vetmja këshillë që u kam dhënë dhe u them edhe sot studentëve të mi.