E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, Prishtinë, Shkup, nënshkruhet memorandumi mes teatrove

Teatri Kombëtar nënshkroi dje një memorandum bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Institucionin Nacional Teatri Shqiptar në Shkup. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, firmosi së bashku me Adem Karagën nga Teatri i Shkupit e Arian Krasniqin nga Teatri i Kosovës, memorandumin e bashkëpunimit për promovimin, kultivimin dhe zhvillimin e vlerave teatrore e artistike të trojeve shqipfolëse. "Qëllimi i kësaj marrëveshjeje bëhet për herë të parë mbi baza institucionale dhe do ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin dhe zhvillimin e mendimit kulturor midis institucioneve tona. Ky memorandum, simbol i një bashkëpunimi konkret, do realizojë politikat e përbashkëta teatrore dhe hartimin e strategjive afatgjata mbi baza të shëndosha", komentoi Skrami. Ndërkaq, për drejtorin Arian Krasniqi kjo frymë bashkëpunimi do të përcaktojë hapat e përbashkëta dhe realizimin e projekteve konkrete që do të evidentohen me programin e këtij viti. Adem Karaga, përfaqësuesi i Teatrit të Shkupit, tha se është shumë i kënaqur me realizimin e memorandumit, pasi ai do të kanalizojë marrëdhëniet midis vendeve. Interpretimi dhe zbatimi i memorandumit do të realizohet në përputhje me legjislacionin e vendit përkatës, pa cenuar dhe pa ndryshuar misionin e secilës palë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›