E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsulli Ikonomu:Nuk korrigjoj asnjë deklaratë Punova ne Vorio Epir

ATHINE- Diplomati grek i cili deri ditët e fundit kryente detyrën e tij si Konsull i Përgjithshëm në konsullaten e Korcës, Theodhoros Ikonomu, vazhdon të mbrojë deklaratat e tij bërë pak dite më parë dhe sqaron se ishin pikërisht këto deklarata, që u bënë shkak për tërheqjen e tij nga konsullata e Korcës. Në një intervistë për mediat greke, Ikonomu shprehet:

"Nuk tërheq asgjë nga ato që kam thenë për grekët dhe për Vorio Epirin. Unë s’bëra më shumë sesa detyrën time dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse unë u tërhoqa në Athinë, por jam i lumtur se deklaratat e mia ia arritën qëllimit. Kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për misionin tim. Unë punova në Epirin e Veriut – është shprehur diplomati grek, duke iu referuar me këtë term, Korcës, qytetit ku ka punuar në krye të konsullatës.

Duke vijuar, diplomati vazhdon të përsërisë deklaratat e tij, sipas të cilave, regjistrimi që pritet të bëhet në Shqipëri, është shansi i fundit që ata që quajnë veten grekë, të deklarojnë kombësinë e tyre dhe të kërkojnë të drejtat për Vorio Epirin.
“Ne nuk pretendojnë tokë, por kërkojmë të respektohen njerëzit dhe të drejtat – është shprehur Ikonomu.

I pyetur për deklaratat e ambasadorit grek në Tiranë Nikolas Pazios, që i cilësoi personale qëndrimet e tij, Ikonomu është përgjigjur: se të gjithë të mbrojmë cështjen kombëtare dhe duhet të jemi të bashkuar përballë cdo sfide. Ikonomu madje kritikoi ambasadorin grek në Tiranë, që sipas tij ka heshtur përballë atyre që ai i cilëson provokime ndaj shtetit grek.

Kjo intervistë vjen një ditë pas lajmit se diplomati grek u tërhoq nga konsullata e Korcës, për shkak të deklaratave të tij nacionaliste dhe antishqiptare që shkaktuan reagime të shumta në Shqipëri.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›